Episodin e parë për këtë sesion të 7 të podkastit “Flasim” Kryeministri Rama e nisi me rezultatet e testit “Pisa 2025” në të cilin Shqipëria u rendit e para në rajon duke marrë 433 pikë në matematikë, 435 në shkencë dhe 408 në lexim.

“Janë fryt i një pune të gjatë, i një transformimi tërësor, një përpjekjeje për të rritur jo thjesht cilësinë e infrastrukturës, teksteve, administrimit të shkollave ku sot kemi një numër jo të vogël drejtuesish që kalojnë te Shkolla e Drejtorëve dhe si rezultat i gjithë intensitetit dhe ndërveprimit mes shkollës e prindërve. Shqipëria e filloi këtë ngjitje nga fundi, të fundit në distancë nga të tjerët dhe sot jemi të parët në matematikë”, tha Rama.

Rama paralajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje me një rrjet universitar në Londër, pjesë e të cilit tha se do të jetë hapja e 4 universiteteve të reja, në shëndetësi e AI.

“Është plan goxha ambicioz. Janë 4 universitete, është universiteti i Fierit, universitet ekselence për mjekësinë. Është universiteti i Vlorës, i përgjithshëm, më i madhi ndër të 4, ambicia jonë është ta instalojmë në qendër të Vlorës, te Sheshi i Flamurit, universitet ndërkombëtar që të krijojë dinamikë të re. Një tjetër në Korçë për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale dhe tjetri, i Përgjithshëm në Tiranë“, tha Rama.

Pas zbulimit të projektit gati ka edhe datën se kur do të jenë në funksion të studentëve këto universitete.

“Duam ta konkludojmë të gjithën brenda këtij viti dhe duam që të fillojë mësimi në 2 nga 4 universitetet, në sezonin 2027-2028 dhe 2028-2029, të katërt janë në funksion”, tha Rama.

Pranoi se matematika nuk kishte qenë në lice lënda e preferuar, teksa me nostalgji kujtoi një poezi që i kishte dedikuar mësueses së tij të letërsisë.

/tvklan.al