Zjarrfikësit në Francë dhe Spanjë po zhvillojnë një betejë të ethshme për të vënë nën kontroll zjarret masive pyjore përpara rikthimit të një vale të re të nxehti, e cila pritet të përkeqësojë ndjeshëm situatën.

Ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi se ditët e hënë dhe të martë janë “absolutisht vendimtare”, pasi nga e mërkura temperaturat do të rriten sërish. Edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez paralajmëroi se vendi po hyn në “orë të vështira dhe komplekse”.

Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian paralajmërojnë se sezoni i zjarreve mund të zgjasë deri në fillim të muajit nëntor, në një vit që rrezikon të shënojë rekord për sipërfaqen e djegur.

Zjarri më i madh në historinë e Spanjës

Një zjarr në zonën malore të Ávilës, në perëndim të Madridit, është bërë më i madhi i regjistruar ndonjëherë në Spanjë, duke shkrumbuar rreth 50 mijë hektarë tokë.

Autoritetet po luftojnë gjithashtu me dy vatra të tjera në veriperëndim të Madridit, duke e çuar sipërfaqen totale të djegur pranë kryeqytetit në rreth 70 mijë hektarë.

Sipas Agjencisë Shtetërore Meteorologjike të Spanjës (Aemet), vala e të nxehtit do të zgjasë të paktën deri të dielën, me temperatura të larta dhe erëra të forta jugore që do ta bëjnë edhe më të vështirë punën e zjarrfikësve.

Franca në “garë me kohën”

Edhe Franca po përballet me një situatë kritike. Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës, Eric Brocardi, tha se vendi është në një “garë me kohën” për të frenuar flakët përpara se temperaturat të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez e përshkroi zjarrin në rajonin e Gironde si “jashtëzakonisht intensiv dhe të paparashikueshëm”, duke shtuar se ai krijon edhe rrymat e veta të ajrit dhe po përparon në mënyrë të çrregullt drejt zonës metropolitane të Bordosë.

Flakët kanë arritur deri në rreth 15 kilometra nga qyteti i Bordosë, ndërsa kryebashkiaku Thomas Cazenave tha se autoritetet po përgatiten për çdo skenar, përfshirë evakuime të tjera masive.

Gjatë vizitës në Bordo, presidenti Emmanuel Macron deklaroi se “javët në vijim do të jenë shumë të vështira”, ndërsa kërkoi kujdes maksimal.

Mbi 220 mijë persona të evakuuar

Zjarri në Gironde ka djegur deri tani rreth 42 mijë hektarë, duke u renditur ndër katastrofat më të mëdha natyrore në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rreth 220 mijë persona janë evakuuar nga zonat e rrezikuara. Në komunën Cestas, pranë Bordosë, zjarrfikësit po përdorin makineri të rënda për të krijuar barriera mbrojtëse dhe për të penguar përhapjen e flakëve.

Qeveria franceze bëri të ditur se që nga fillimi i vitit janë djegur mbi 116 mijë hektarë pyje dhe bimësi, shumë më tepër se 70 mijë hektarët e regjistruar gjatë gjithë vitit 2025.

Ndërkohë, në Spanjë janë shkrumbuar rreth 172 mijë hektarë, gjashtë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

BE: Europa nuk është e përgatitur

Presidenti i qeverisë spanjolle, Pedro Sánchez, tha se zjarret nuk janë më ngjarje të izoluara, por pasojë e drejtpërdrejtë e krizës klimatike.

“Emergjenca klimatike po i bën zjarret gjithnjë e më të egra dhe valët e të nxehtit më të shpeshta. Kjo nuk është më përjashtim, por rregull”, u shpreh ai.

Edhe komisionerja evropiane për tranzicionin e gjelbër, Teresa Ribera, deklaroi se Evropa nuk është ende e përgatitur për pasojat e ndryshimeve klimatike dhe njoftoi se Komisioni Evropian do të paraqesë në tetor një strategji të re përshtatjeje.

Ndihmë ndërkombëtare dhe alarmi për cilësinë e ajrit

Bashkimi Evropian ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile, duke dërguar shtatë avionë dhe katër helikopterë në Francë, si dhe gjashtë avionë dhe tre ekipe zjarrfikëse në Spanjë.

Ndërkohë, zjarret po shkaktojnë edhe përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit, veçanërisht në rajonin francez Nouvelle-Aquitaine.

Autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje të moshuarve, grave shtatzëna dhe personave me sëmundje të frymëmarrjes të qëndrojnë të mbrojtur, të mbajnë maska FFP2, të mbyllin dritaret dhe të shmangin aktivitetet fizike në ambientet e jashtme.

Përveç Francës dhe Spanjës, zjarre të mëdha po përballen edhe Portugalia dhe Italia, ku qindra persona, përfshirë turistë, janë evakuuar nga zonat e rrezikuara. Italia po përgatitet gjithashtu për valën e katërt të të nxehtit këtë vit, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

/tvklan.al