30 korrik 2026 – Partia Demokratike ka bërë gati draftin e saj sa i takon hartës së re territoriale të vendit.

Demokratët, krejt ndryshe nga socialistët, propozojnë krijimin e 100 bashkive dhe 6 rajoneve, duke parashikuar shtimin e 39 njësive të reja vendore.

Mes zonave që PD kërkon t’i kthejë në bashki të veçanta janë Sukthi, Otllaku, Cakrani, Frakulla, Shishtaveci, Bicaj, Leskoviku, Voskopoja dhe Mokra.

Ndërkohë, ndarja e re rajonale do të bazohej në 6 rajone: Shkodër, Dibër-Kukës, Tiranë-Durrës, Elbasan-Korçë, Fier-Berat dhe Vlorë-Gjirokastër.


Më herët, Partia Socialiste ka paraqitur një model që parashikon reduktimin e bashkive në 46.

Sipas draftit të PS-së, ndarja e re territoriale do të bazohet në strukturën “Bashki-Qytet-Njësi Administrative”, me 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.

Madje, hera-herës eksponentë të mazhorancës kanë shprehur bindjen se Shqipëria do të ketë më pak bashki në zgjedhjet e 2027-ës duke theksuar se plani i tyre është mbështetur në analiza të detajuara ekonomike dhe demografike.

Sa i takon kësaj reforme, nuk kanë munguar debatet e forta qoftë në komision apo edhe sallën e Kuvendit.