Shtetet e Bashkuara kanë bërë publik draftin e memorandumit të marrëveshjes me 14 pika mes Washingtonit dhe Teheranit, një dokument që synon ndërprerjen e operacioneve ushtarake, lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit dhe hapjen e rrugës për negociata që pritet të çojnë në një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditëve.
Drafti përfshin angazhime që lidhen me sigurinë, lundrimin detar, heqjen graduale të sanksioneve, programin bërthamor iranian dhe bashkëpunimin ekonomik mes palëve.
14 pikat e përfshira në draft-marrëveshjen:
1. Përfundimi i operacioneve ushtarake: SHBA-të, Irani dhe aleatët e tyre do t’u japin fund menjëherë dhe përgjithmonë operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, dhe do të shmangin kërcënimet ose përdorimin e forcës në të ardhmen.
2. Respektimi i sovranitetit: Të dyja palët do të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe nuk do të ndërhyjnë në punët e brendshme.
3. Afati për marrëveshjen përfundimtare: Washingtoni dhe Teherani do të synojnë të arrijnë marrëveshjen përfundimtare brenda 60 ditëve, me mundësi zgjatjeje me pëlqim të ndërsjellë.
4.Përfundimi i bllokadës detare: SHBA-të do të nisin heqjen e bllokadës detare dhe kufizimeve të tjera ndaj Iranit menjëherë dhe do ta përfundojë procesin brenda 30 ditëve. Forcat amerikane do të tërhiqen gjithashtu nga zonat pranë Iranit pas marrëveshjes përfundimtare.
5. Ngushtica e Hormuzit: Irani do të lehtësojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit, si dhe do të ndërmarrë përpjekje për pastrimin e minave dhe rikthimin e lundrimit normal.
6. Paketa e rindërtimit: SHBA-të, në koordinim me partnerët rajonalë, do të zhvillojë një plan rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik për Iranin me vlerë minimale prej 300 miliardë dollarësh.
7. Heqja e sanksioneve: SHBA-të do të heqin sanksionet ndaj Iranit, përfshirë masat e lidhura me OKB-në, rezolutat e bordit të IAEA-së dhe sanksionet amerikane.
8. Angazhimet bërthamore: Irani do të riafirmojë se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe do të negociojë për rezervat e uraniumit të pasuruar dhe aktivitetet e tjera bërthamore.
9. Ruajtja e status quo-së gjatë bisedimeve: Deri në marrëveshjen përfundimtare, Irani do të ruajë gjendjen aktuale të programit bërthamor, ndërsa SHBA-të nuk do të vendosë sanksione të reja ose forca shtesë.
10. Leje për eksportin e naftës: Departamenti amerikan i Thesarit do të japë menjëherë leje për eksportin e naftës iraniane dhe shërbimet përkatëse.
11. Lirimi i aseteve të ngrira: Washingtoni do të lirojë fondet dhe asetet e ngrira të Iranit, sipas procedurave që do të përcaktohen gjatë negociatave.
12. Mekanizëm monitorimi: Do të krijohet një mekanizëm i përbashkët ekzekutiv për të mbikëqyrur zbatimin e memorandumit.
13. Negociatat përfundimtare: Bisedimet për çështjet e mbetura do të nisin pas zbatimit të pikave kyç që lidhen me armëpushimin, sigurinë detare, eksportet e naftës dhe asetet e ngrira.
14. Miratimi nga OKB-ja: Marrëveshja përfundimtare do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
/tvklan.al












Botërori 2026 
