Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se janë drejt mbylljes së një marrëveshjeje historike. Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance deklaroi se palët kanë nënshkruar elektronikisht memorandumin e mirëkuptimit, ndërsa firma zyrtare pritet të hidhet të premten në Gjenevë të Zvicrës.

Sipas informacioneve të bëra publike, marrëveshja synon t’i japë fund konfliktit mes dy vendeve dhe të mundësojë rikthimin e lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.

Më herët, Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se marrëveshja pritet të ketë ndikim më të gjerë në stabilitetin rajonal.

“Kjo Marrëveshje e Madhe do të sjellë Paqe dhe Siguri në të gjithë Rajonin. Shumë presidentë janë përpjekur të bëjnë Paqe me Iranin dhe të gjithë kanë dështuar para meje. Udhëheqësit e Rajonit, për herë të parë, kanë gjetur një President që mund t’i ndihmojë ata të arrijnë Paqe të vërtetë. Me hapjen e Ngushticës pas nënshkrimit të Marrëveshjes të premten, me qëllim heqjen e minave, nafta do të rrjedhë përsëri në të dyja anët për Rajonin dhe Botën!”, tha Trump.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit ka ndërmjetësuar negociatat, deklaroi se pakti parashikon ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.

Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet e ardhmja e programit bërthamor iranian. Burime diplomatike bëjnë të ditur se kjo temë do të trajtohet në një fazë të dytë negociatash.

Zhvillimet kanë reflektuar menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare: çmimi i naftës Brent ka shënuar rënie me rreth 4 për qind në tregjet aziatike, ndërsa bursat kryesore kanë regjistruar rritje.

Klan News

/tvklan.al