Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ngërçin me pagat e magjistratëve sot në 13 shtator.

Rama shprehet se një gjykatës në Shqipëri, që sapo e ka nisur punën, merr 500 euro më tepër se kolegu i tij në Greqi. Shton se gjykatësit dëshirojnë tashmë 2 mijë euro më tepër rrogë se një koleg i tyre në shtetin grek.

Kreu i qeverisë deklaroi se me vendimin e marrë nga KLP dhe KLGJ, paga duhet të rritet 3000 euro më shumë se një koleg në Malin e Zi.

“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, shkruan kryeministri Rama në X.

Në një reagim të dytë, disa orë më vonë, Rama shprehet se paga mesatare e gjyqtarëve është aktualisht 280 për qind më e lartë se paga mesatare në administratën shtetërore. Kryeministri argumenton se rritja do t’i rendiste pagat e gjyqtarëve mbi nivelet e disa vendeve europiane.

Sipas Ramës, me rritjen e kërkuar, paga mesatare e gjyqtarëve do të ishte 470 për qind më e lartë se ajo e administratës shqiptare.

Kreu i qeverisë e cilëson situatën si të paprecedentë, teksa shton se nëse Kuvendi rrit pagat e gjyqtarëve, atëherë ata do të merrnin 1 mijë euro më shumë se presidenti.

“Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare e administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve magjistratë në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi.

Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më lart.

Dhe nëse në të tëra vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës demokratike maja e piramidës së pagave në shtet është Presidenti, paga mesatare e rritur në rrugën jashtë parlamentit bëhet 1,000 euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se paga e ministrit. Kjo për mesataren e gjithë trupës, se po të marrësh nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor sot, ajo aktualisht është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen e kërkuar e dini sa shkon?!

Oh, aty pastaj shkon pa asnjë shaka, mbi 5000 Euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se paga e ministrit!

Duket si fantazi e shfrenuar po në fakt është lënda e kallzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit”, shprehet kryeministri Rama.

Prej disa kohësh po zhvillohet një debat i ethshëm mes qeverisë dhe shoqatave të gjyqtarëve, për pagat e magjistratëve.

Pas ditësh debati juridik mbi pagat, mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve, Magjistratët shkuan edhe në derën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Kjo e fundit shqyrtoi të premten dy kërkesa, të bëra nga Gjykata e Posaçme dhe ajo e Durrësit, për sigurim padie, duke pezulluar zbatimin e urdhrit të ministrisë së Financave që çoi më pas në moskalimin e pagave të tyre për muajin gusht.

Përmes këtyre vendimeve, Gjykata Administrative urdhëron ekzekutimin e listëpagesave të dërguara nga këto gjykata deri në shqyrtimin në themel të kërkesave për shfuqizim të këtij urdhri.

Në kërkesat e dorëzuara, Magjistratët argumentojnë se kontrolli financiar i ligjshmërisë së shpenzimit është një funksion i ligjshëm dhe i domosdoshëm, por nuk mund të shndërrohet në mekanizëm për të pezulluar një akt në fuqi.

Prej datës 3 shtator, pagat e Magjistratëve u bllokuan në Thesarin e Shtetit, pasi ministria nuk pranoi formulën e re të pagave të tyre, të përcaktuar nga KLGJ dhe KLP, me argumentin se qeveria nuk kishte zbatuar vendimin e Gjykatës Kushetuese brenda 31 korrikut.

Qeveria i konsideron vendimmarrjet e këshillave si marrje të kompetencave të pushteit legjislativ dhe ekzekutiv, duke thënë se kjo çështje do të zgjidhet vetëm në parlament. Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka publikuar shifra, duke thënë se gjyqtarët kërkojnë paga, që janë shumë larg realitetit shqiptar.