Ngërçi i krijuar me pagat e gjyqtarëve është kthyer në mollë sherri mes palëve politike në konferencën e kryetarëve, që i parapriu seancës plenare të pasdites.

Përfaqësuesit e opozitës kërkuan zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për nxjerrjen nga kolapsi të sistemit të drejtësisë, duke paralajmëruar votën kundër nismës së socialistëve që pritet të miratohet në 17 shtator.

“Vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm për zbatim. Vota jonë për pagat e magjistratëve është kundër sepse propozimi ynë është në shkelje të vendimit të GJK dhe s’votojmë një iniciativë”, tha Bardhi.

Por socialistët insistojnë se në një shtet demokratik kompetenca për përcaktimin e pagave i takon Kuvendit.

“Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator. Atyre që iu djeg barku, që kur iu teket shkojnë e shajnë me libër shtëpie prokurorë dhe gjyqtarë dhe sot mendojnë se duhet të mbështesin pagat e gjyqtarëve. Si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, tha Balla.

Një tjetër përplasje e fortë mes palëve pritet të sjellë edhe reforma territoriale, ku socialistët do të jenë në pritje të një konsensusi nga kundërshtarët e tyre në kampin blu deri në tetor për të miratuar më pas të vetëm hartën e re administrative që redukton nga 61 në 46 numrin e bashkive.

“Themeli i punës për këtë shumicë është miratimi i reformës territoriale dhe miratimi i një reforme zgjedhore që të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për të garantuar në kohë marrjen e masave për zgjedhjet vendore të 2027-s. Dëshira e mirë është të ketë konsensus për territoriale deri aty ku nuk pengohet përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, shpresoj që deri në 10 ditëshin e parë të tetorit ku do shyrtohet projekti i PS të kemi edhe reflektim nga ana e opozitës për ta votuar me konsensus”, tha Balla.

Krahas reformës territoriale, në kuvend pritet të rikthehen diskutimet edhe për reformën zgjedhore, afati i së cilës është shtyrë deri në fund të muajit korrik me dakortësinë e të dyja paleve.

/tvklan.al