Burri i qëlluar për vdekje këtë të shtunë nga oficerët federalë të emigracionit në Minneapolis është identifikuar si 37-vjeçari Alex Pretti, një infermier në repartin e kujdesit intensiv.

Sipas dëshmive të të pranishmëve dhe videove që qarkullojnë, Pretti po filmonte me telefon një operacion federal kur agjentët e rrëzuan në tokë dhe ai u qëllua për vdekje.

Zyrtarët federalë thanë se oficeri që e qëlloi kishte tetë vite përvojë në Patrullën Kufitare dhe se Pretti ishte i armatosur, megjithëse pamjet e dëshmitarëve nuk tregojnë ndonjë armë.

Ngjarja ndodhi në kuadër të fushatës së zgjeruar të administratës Trump për goditjen e emigracionit dhe u zhvillua më pak se tre javë pas një tjetër të shtënë fatale nga autoritetet federale në qytet.

Guvernatori Tim Walz e ka dënuar dhunën si “brutalitet i organizuar” dhe ka kërkuar nga qeveria federale që të ndalojë operacionin, duke deklaruar se Minnesota, jo autoritetet federale, do të udhëheqë hetimin për vdekjen e Prettit.

Ndërkohë, protestuesit kanë vazhduar përplasjet me agjentët federalë në rrugë, teksa zemërimi po rritet në mbarë vendin.

Kujtojmë se më 7 janar të këtij viti, aktivistja Renee Nicole Good, u qëllua për vdekje nga një agjent i Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave, po në Mineapolis. Kjo vrasje shkaktoi reagime të forta dhe përplasje mes autoriteteve lokale dhe administratës Trump lidhur me rrethanat e ngjarjes.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, gruaja ishte e përfshirë në protesta dhe tentoi të shtypte me makinë agjentët e ICE-së, duke e detyruar agjentin të hapte zjarr në vetëmbrojtje. Autoritetet federale e përshkruan veprimin si “të shtëna mbrojtëse”, ndërsa konfirmuan se edhe agjenti u plagos lehtë dhe mori trajtim mjekësor.

Pas incidentit, në Minneapolis u zhvilluan protesta dhe marshime, me kërkesa për largimin e ICE-së nga qyteti. Protesta u organizuan edhe në disa qytete të tjera të SHBA-ve. Për arsye sigurie, Shkollat Publike të Minneapolis-it njoftuan pezullimin e mësimit për pjesën e mbetur të javës.

Qindra agjentë të ICE-së janë dislokuar në qytet si pjesë e fushatës mbarëkombëtare të Shtëpisë së Bardhë kundër emigracionit të paligjshëm. Autoritetet federale konfirmuan se operacionet e ICE-së do të vazhdojnë, ndërsa FBI ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Prania e shtuar e ICE-së në Minneapolis është pjesë e një operacioni më të gjerë federal kundër emigracionit të paligjshëm. Administrata Trump ka dislokuar rreth 2 mijë agjentë federalë shtesë në zonë, në kuadër të hetimeve për mashtrime me përfitime sociale dhe një fushate për zbatimin e urdhrave të dëbimit.

/tvklan.al