Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fillimi i kësaj jave shënoi një ngjarje mjaft të rëndë, e cila ende nuk është zbardhur. Sekretari i përgjithshëm i KMSH Sali Tivari qëllohet për vdekje me pistoletë brenda në zyrën e tij. I pari i dyshuar që shoqërohet pak çaste pas vrasjes është nënkryetari i Komunitetit Mysliman Ermir Gjinishi dhe e shoqja. Ata sipas policisë kanë qenë në zyrën pranë asaj të viktimës. Por një ditë pas ndalimit, lirohet nga dhomat e shoqërimit në drejtorinë e policisë, çifti Gjinishi.

Ermir Gjinishi shprehet, në një prononcim për TV Klan, se nuk ka lidhje me vrasjen dhe se shpreson që ajo të zbardhet sa më shpejt. Ndërkohë vetë prokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku, konfirmon se pistat kryesore të hetimit, janë mosmarrëveshjet brenda komunitetit, për zënie posti, apo çështje pronash. Viktima merrej me administrimin e pronave të Komunitetit Mysliman dhe hetuesit po kërkojnë fillesën e konfliktit pikërisht këtu.

Ekspertët ligjor nga Tirana, konfirmojnë, se në kufomën e Gazmend Tahirllarit nga Korça, janë gjetur shenja dhune. Hidhet poshtë kështu pretendimi fillestar i policisë, se kjo e fundit nuk e ka dhunuar viktimën. Hetimet po kryen tashmë në bashkëpunim me prokurorinë e përgjithshme. Ajo nuk përjashtoi mundësinë, që të pandehur në këtë çështje, të merren edhe mjekët ligjor të Korçës, nëse ata gjenden përgjegjës për fshehjen e së vërtetës.

11 familje nga rreth 200 familje që kanë paguar apartamentet në dy kullat Hawai në Tiranë, lejohen nga gjykata të bëhen palë në proces. Ai është zhvilluar deri tani mes presidentit të firmës Hawai-Alb dhe KRT. Pala paditëse, firma e ndërtimit dhe banorët kërkojnë nga gjykata e Tiranës, të shpallet i pavlefshëm urdhri i KRT-së për prishjen e kullave.

Një 50 vjeçar zhduket në det, pasi del për të peshkuar. Iljaz Iljazi ka dalë me gomone në orët e paradites, por nuk është kthyer më në shtëpi. Në kërkimin e të humburit, janë angazhuar prej disa ditësh përveç rojes bregdetare shqiptare edhe një helikopter dhe mjete të tjera të Guardia di Finanzas.

Gjyqi “Kokaina”, përfundon sërish në sherr mes palëve. Kjo ka bërë që as këtë javë të mos ketë ndonjë zhvillim për marrjen e provave. I pandehuri Sokol Koçiu, tashmë i përjashtuar nga gjykimi për thyerje të disiplinës, dërgon një kërkesë ku pretendon të mos mbrohet më nga avokati që i ka caktuar gjykata. Avokati reagon i revoltuar dhe del nga salla, ndërsa debati ashpërsohet, derisa gjyqtari e ndërpret atë. Ndërkohë prokurorët i kërkojnë vetë kryetarit të trupit gjykues Martin Dede të japë dorëheqjen, për njëanshmëri ndaj të pandehurve.

Gjykata e Tiranës ka liruar gjatë seancës për komunikimin e masës së sigurisë, dy të akuzuarit për shpërdorim të fondeve qeveritare. S.D. pronar i firmës së ndërtimit “Saliko” dhe A.V. supervizori i kësaj firme, akuzohen se kanë vjedhur me anë të falsifikimit të dokumenteve 130 milion lekë. Ky abuzim është bërë gjatë kohës së ndërtimit të dy vilave qeveritare në Vlorë. Dy të pandehurit u liruan kundrejt shumës 10 mijë dollarë secili, si garanci pasurore./tvklan.al