Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet këtë të mërkurë seanca gjyqësore fillestare për rastin “Banjska”. Për këtë çështje Prokuroria Speciale e Kosovës publikoi më 11 Shtator aktakuzën e ngritur kundër 45 personave, përfshirë Milan Radoiçicin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Shumica prej të akuzuarve ngarkohen me veprën penale të kryerjes së terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues e sigurisë së Kosovës.

Seanca vjen një ditë pas përvjetorit të sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës. Një grup i armatosur serb sulmoi policinë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiç, i cili bashkë me pjesën më të madhe të këtij grupi të armatosur ndodhen në Serbi.

Aktualisht në paraburgim në Kosovë ndodhen vetëm tre persona që u arrestuan gjatë sulmit në Banjskë. Ata janë Vladimir Toliç, Blagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimovic, të cilët siç shikohet në këto pamje të siguruara nga gazetarja Blerta Dalloshi Berisha janë dërguar me pranga në duar në seancën e gjyqit.

Kush janë të pandehurit e rastit “Banjska”

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës përmend 45 persona.

Ata janë: Milan Radoiçiç, Bllagoje Spasojevic, Vladimir Tolliç, Dushan Maksimoviç, Vladimir Radivojeviç, Uglesha Jarediç, Millorad Jevtiç, Vllastimir Andriç, Aleksandar Millosavleviç, Llazar Shmigiç, Velko Gjorgjeviç, Vlladimir Vuçetiç, Stefan Jovanoviç, Millovan Kërstoviç, Urosh Milliç, Trajko Vasiç, Danillo Vasiç, Vukashin Jarediç, Sasha Periç, Nemanja Stankoviç, Momçillo Vuçkoviç, Stefan Radojkoviç, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Kërsto Damjanoviç, Stefan Millosavleviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Milliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviç, Radak Axhiç, Millosh Millenkoviç, Gjorgje Balloviç, Danijell Gjukiç, Danillo Virijeviç, Aleksandar Tanaskoviç, Millosh Kragoviç, Milan Nedelkoviç, Nikolla Illiç, Vlladan Illiç, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviç.

Ministri i Punëvce të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është shprehur për mediat se Serbia herët ose vonë do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiçin dhe të tjerët, duke shtuar se ligjet e Kosovës e lejojnë gjykimin në mungesë.

Çfarë thotë aktakuza?

Prokurori i çështjes, Naim Abazi, tha se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste e deri tek financimi dhe pastrimi i parave. Aty thuhet se grupi përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Lider i tyre është identifikuar Milan Radoiçiç, i cili po ashtu gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Në Serbi, hetimin për sulmin po e udhëheq Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila e ka akuzuar Raodiçiçin për tre vepra penale, prodhimi i paautorizuar, posedim, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit e lëndëve shpërthyese dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjska një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij. Ministri Sveçla tha se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, Serbia në disa raste ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjska dhe ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./tvklan.al