Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjykata e shkallës së parë në Korçë ka nisur gjykimin e uniformave blu, të implikuar në çështjen Tahirllari. Trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Gjergj Koço dhe anëtarë Pëllumb Tare e Arben Lera, kanë shtyrë seancën e parë pas kërkesës së të pandehurve, të cilëve u mungonte avokati mbrojtës.

Prokurori i çështjes Ardian Brami ka lexuar pretencën, ku akuzohen 6 anëtarë të grupit të gatshëm të policisë së Korçës, për vdekjen e 37 vjeçarit Gazmend Tahirllari nga fshati Goskovë. Sipas akuzës, ngjarja e rëndë ka ndodhur pas denoncimit të taksistit, ku dhuna e ushtruar nga policia, e cila kishte shkuar për ta arrestuar 37 vjeçarin e shoqëruar me dehje, përfundoi me vdekjen e tij.

Në prani të pjesëmarrësve të shumtë, që kishin mbushur sallën e gjykatës, kryetari i trupit gjykues njohu të pandehurit me akuzat. Ish-shefi i krimeve të zonës Lorenc Balliu akuzohet për vrasje me dashje dhe gjykohet në mungesë. Dashamir Ganolli ish-inspektor policie në zonë akuzohet për veprime arbitrare, ndërsa ish-policët Albert Myftari, Sokol Gurishta, Robert Qyli dhe Rrahman Meraj, akuzohen për moskallëzim krimi.

Sipas trupit gjykues, seanca tjetër e gjykimit të uniformave blu është shtyrë për në datën 21 Shkurt./tvklan.al