Çdo shtetas shqiptar që kërkon të punësohet në mënyrë legale në Itali, nga nesër mund të paraqitet në zyrat e koordinimit vendor pranë drejtorive rajonale të punësimit për tu regjistruar. Prej të gjitha kandidaturave do të përzgjidhen  vetëm 255 shtetas të cilët më pas do të trajnohen në kurse profesionale e gjuhësore falas.

Spiro Ksera: “Sot ne promovojmë zbatimin e  projektit të parë nga i cili do të përfitojnë  menjëherë 255 shtetas shqiptarë, të cilët do të trajnohen  intensivisht nga entet italiane në kurse falas për formimin  gjuhësor dhe profesional. Pas përfundimit të trajnimit pjesëmarrësit  do të pajisen me certifikatë  aftësie në profesione të ndryshme, të cilat njihen në tregun evropian të punës. 50% e të  trajnuarve do përthithen  menjëherë nga tregu italian i punës sipas procedurave.  Të gjithë të interesuarit i ftoj duke filluar nga dita e nesërme  deri më datën 10 Prill 2012 pranë sporteleve të emigracionit.”

Zyra e koordinimit ku  edhe do të paraqiten aplikimet është  çelur nga ministria italiane e  punës pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes dy vendeve.  Kandidatët pas trajnimit  do të përzgjidhen  nga vetë punëdhënësit italianë sipas nevojave të tyre.  Fushat në të cilat do të punësohen shtetasit shqiptarë janë në sektorin e ndërtimit, industrisë tekstile, asistencës familjare, turizmit, hotelerisë etj./tvklan.al