Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Për herë të parë që nga ndërtimi i tyre ka nisur rehabilitimi i hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Kështu për Fierzën, Vaun e Dejës, Ulzën dhe Shkopetin, ka përfunduar faza e tenderimit, duke u lënë rrugë fillimit të punimeve.

Investimet në fillim kanë nisur në Ulzë e Shkopet, e tre ditë më parë pas daljes së një agregati nga puna, ka filluar zbatimi i projektit edhe në Vaun e Dejës. Vlera e këtij projekti është 45 milion dollarë, e bashkëfinancohet nga qeveria zvicerane, austriake, qeveria italiane, shqiptare dhe BERZH.

Hidrocentralet e kaskadës së Drinit mbajnë peshën kryesore në gjenerimin e energjisë elektrike, ndaj zëvendësimi i aparaturave rrit rendimentin prodhimit dhe jetëgjatësinë e pajisjeve.

“Në momentet që u vendos të bëhej ky projekt, u studiua dhe ana ekonomike, duke pasur edhe alternativa të tjera, ndërtimin e TEC-eve, apo ndërtimin e objekteve të reja elektroenergjetike, por rehabilitimi i këtyre hidrocentraleve ishte një prioritet, sepse ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e prodhimit të energjisë elektrike”.

Ky projekt do të përfundojë në vitin 2004. Efektet ekonomike do të jenë të dukshme, rendimenti pritet të rritet 2.5% në dy turbinat e hidrocentralit të Fierzës, me këtë ndërhyrje përveç rritjes së prodhimit do të shkurtohen edhe remontet./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti