1.500 ushtarë do të marrin pjesë në stërvitjen ushtarake “Goditja vendimtare 21” që do të mbahet nga E Hëna më 17 Maj e deri më 02 Qershor.

Bëhet fjalë për një stërvitje masive ushtarake, të parën prej se RMV-ja u bë anëtare e NATO-s, me numër të madh të pjesëtarëve të armatës maqedonase dhe asaj amerikane, kurse do të marrin pjesë edhe një numër më i vogël i ushtarëve nga Bullgaria dhe Greqia.

“Goditja vendimtare 21” është stërvitje mbrojtëse me përgatitje për kundërsulm. Është pjesë e stërvitjes “Defender Europe” ku marrin pjesë 27 vende me 28.000 ushtarë.

“Stërvitja është një shembull i fuqishëm se sa RMV-ja është gati të punojë bashkë me SHBA-të dhe aleatët tjerë të NATO-s, me qëllim të adresimit të kërcënimeve të ardhshme dhe të tregojë se si tashmë RMV-ja, kontribuon për Aleancën”, ka theksuar Koloneli i ushtrisë amerikane Piter Rauel.

Skenari i stërvitjes përgatitet që nga Dhjetori i vitit 2019. Që të bëhet një stërvitje e këtillë ushtarake, gjatë periudhës së kaluar, ushtarët e RMV-së bashkë me planerët e SHBA-së kishin punuar në përgatitjen e poligonit.

“Për këtë shkak sot si pjesë të poligonit kemi pistën për ngritje dhe aterime të fluturakave pa pilot, kemi depotë që do të shfrytëzohen për stërvitjen, kemi caqet e lëvizshme dhe të palëvizshme që japin kapacitete më të mëdha për stërvitje dhe kemi infrastrukturë të rrumbullaksuar rrugore”, ka theksuar Ministrja e Mbrojtjes, Radmila Sheqerinska.

Në poligonin Krivollak është vendosur edhe sistemi i monitorimit që duhet të tregojë se sa ndikon ndaj ambientit jetësor, përdorimi i armëve dhe teknologjisë ushtarake.

Klan Macedonia