Prej ditës së sotme, 9 mars 2026, ora 15:00, platforma e kanaleve të Televizionit Kombëtar Klan është pasuruar me një kanal të ri, Klan Nostalgji.

Një kanal që do të flasë vetëm shqip dhe që do të rikthejë për publikun filmat dhe prodhimet që kanë shoqëruar dhe shënuar historinë e ekranit dhe kanë mbetur të gjalla në kujtesën kolektive ndër vite.

Nga prodhimet e para të kinemasë shqiptare tek personazhet më të dashur për publikun, gjithçka do të rikthehet me një tjetër shkëlqim dhe cilësi, sepse çdo film që do të transmetohet në Klan Nostalgji i është nënshtruar një procesi restaurimi.

“Nga data 9 mars, ora 15:00 nis transmetimin kanali më i ri i platformës televizive të Klan, Klan Nostalgji,” tha Albert Dumani, drejtor programacioni, TV Klan.

Ky kanal do të jetë ekrani i kujtimeve, historive jo vetëm kinematografike, por edhe të prodhimeve televizive që na kanë shoqëruar ndër vite në ekranin kombëtar të Klanit.

“Do jetë një kanal, i cili do të mbajë në programacion të gjitha prodhimet e ish-Kinostudios Shqipëria e Re, që nga filmi i parë në vitin 1953, Skënderbeu, deri në vitet ’90. Risia qëndron, se këto filma do të transmetohen për herë të parë për publikun në cilësinë më të lartë të figurës dhe të zërit. Disa janë restauruar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, e disa të tjera nga departamentet e teknikës dhe promocionit këtu në TV Klan”, tha Dumani.

Klan Nostalgji është i disponueshëm në kanalin numër 15 në digjital tokësor dhe në platformën Klani im.

“Pjesë e programacionit të tij do të jenë dhe programet hit që kanë bërë histori në spektaklin televiziv modern në Shqipëri. Shumë yje dhe prezantues që nga fillimet e epokës televizive, nga një televizion privat siç ishte Kalni, do të transmetohen në Klan Nostalgji,” shtoi më tej drejtori i programacionit.

“Klan Nostalgji” do të jetë i disponueshëm edhe për publikun në të gjitha zonat shqipfolëse, duke i rikthyer publikut emocionet e filmave të harruar, emisioneve ikonë dhe kujtimet që na kanë shoqëruar ndër vite.

/tvklan.al