Celibashi mesazh përfaqësuesve politikë: Adresoni shqetësimet në KQZ, sa më larg qendrave të votimit
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka mbajtur një deklaratë për media nga ambientet e jashtme të një qendre votimi në Bashkinë e Vorës, nga ku dhe më herët pati disa incidente.
Celibashi u shpreh se në përgjithësi procesi i votimit ka qenë pozitiv, referuar kështu dhe përdorimit të pajisjeve të identifikimit elektronik.
“Jemi në Vorë për të parë nga afër ecurinë e procesit në këtë bashki. Nga komunikimet që patëm me anëtarët e KZAZ, duket që procesi zgjedhor është duke shkuar mirë, të paktën për aspektin e përdorimit të teknologjisë, si për pajisjet e votimit elektronik si për të identifikimit. E në ato 2-3 qendra votimi që vizituam, konstatuam që nuk ka probleme”, tha Celibashi. Lexo më shumë…
Rama thirrje qytetarëve nga selia e PS: Ti që mund të votosh, mos mungo
Kryeministri i vendit, Edi Rama, me anë të një video në rrjetet sociale u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë të drejtë vote, të shkojnë dhe të japin votën e tyre.
Rama e cilëson hedhje e votës në kutitë e votimit si një detyrë shoqërore, qytetare dhe patriotike. Lexo më shumë…
Votim familjar/ Pezullohet me 20 minuta procesi i votimit në Papër
Është pezulluar me 20 minuta procesi i votimit në QV nr 2447, në Papër. Sipas asaj që raporton gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba shkak i pezullimit është bërë një rast votimi familjar.
Siç duket edhe në pamjet e siguruara nga Klan News duket një votues i cili afrohet pranë vendit ku po votonte një tjetër qytetar...Lexo më shumë
Berisha thirrje qytetarëve të votojnë: Të gjithë ata që shkelin ligjin do të marrin përgjegjësi
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për media iu ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë ditën e sotme. Berisha në fjalën e tij ka falenderuar të gjithë qytetarët që kanë votuar, veçanërisht votuesit nga jashtë.
Një falenderim të veçantë kreu i demokratëve shprehu për votuesit nga jashtë të cilët për shkak se nuk kanë mundur të regjistrohen në zgjedhje kanë ardhur në Shqipëri për të ushtruar të drejtën e tyre.
“Jam sot për të shprehur një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata qytetarë që deri tani kanë hedhur votën e tyre, duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare, detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit...Lexo më shumë
Silvio Gonzato për zgjedhjet: Mënyra si do organizohen, e rëndësishme për procesin e anëtarësimit në BE
Ambasadori i Bashkimit Evropian për Shqipërinë, Silvio Gonzato, ishte i pranishëm në Durrës, ku dhe vëzhgoi nga afër procesin e votimit në këtë qark.
Ai u shpreh se këto janë zgjedhjet e para të Shqipërisë që pas çeljes së negociatave me unionin evropian, ndaj dhe mbajnë një peshë të rëndësishme. Sigurisht vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve është vetëm një pjesë e hallkut të zingjirit, pasi mbetet për t’u parë se çfarë gjetjesh do paraqesë grupi i vëzhgimit të OSBE-ODIHR që është shpërndarë në të gjitha qarqet e Shqipërisë.
Gonzato theksoi se mënyra se si do të organizohen këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Lexoni më shumë…
Bllokohet qendra e votimit në Tregan, kërkohet ndërhyrja e Policisë
Një qendër votimi në Qendrën Administrative Tregan të Bashkisë së Elbasanit, është bllokuar nga komisionerët e Partisë Demokratike.
Gazetarja Anisa Krraba bën me dije se shkak për këtë problematikë është bërë hyrja e disa personave të panjohur në qendrën e votimit.
Po ashtu bëhet me dije se në qendrën e votimit 2194 është kërkuar edhe ndërhyrja e Policisë.
Votohet në burgun e Reçit, gazetari përshkruan procedurën
Procesi i votimit vijon edhe në burgun e Reçit, i cili është institucion i vuajtjes së dënimit me siguri të lartë. Siç raporton gazetari Besar Bajraktaraj, në të ndodhen 645 të dënuar dhe të paraburgosur. Nga 359 të dënuar, 44 kanë të drejtën e votës. Të paraburgosur janë 286 dhe 213 prej tyre kanë të drejtë vote. 13 të burgosur të huaj gjithashtu nuk kanë të drejtë vote.
Humbja e të drejtës së votës parashikohet në bazë të ligjit sipas klasifikimit për veprat e rënda penale si gjenocid, krime kundër njerëzimit,vrasje, tortura, marrëdhënie seksuale me të mitur, krime zgjedhore, të dënuar për organizata kriminale, trafik droge etj.
Gazetari përshkruan edhe mënyrën e procesit të votimit në burg, i cili nuk ndryshon shumë nga ai që ndodh në rrethana normale. Lexo më shumë
Ndodh e pazakonta në Lushnje, dhoma e fshehtë e votimit zëvendësohet me dollapin e rrobave
Në këto proces zgjedhor qytetarët në fshatin Zhamë të Lushnjës janë përballur me një situatë të pazakontë.
Një dollap i vjetër rrobash është kthyer në një dhomë të fshehtë votimi. Lexo më shumë…
Tension në qendrën e votimit në Vorë, Noka përplaset me votuesit: Do të zvarris…
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është përplasur me votuesit në një qendër votimi në Vorë.
Në pamjet e siguruara nga Klan News duket Flamur Noka i shoqëruar nga demokratja Albana Vokshi të cilët shprehen me tone të ashpra, shprehje të tilla si ‘do të të zvarris’. Në video dëgjohet që qytetari i kërkon Nokës që të pranojë humbjen.
Ndërkohë në këtë qendër votimi pritet të mbërrijë personalisht edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi për të parë nga afër situatën dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë…Lexo më shumë
SPAK regjistron 4 raste për krime zgjedhore në Berat

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar në qarkun e Beratit.
Gazetarja Anila Sefa raporton se rastet e regjistruara janë për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Kjo vepër penale parashikon dënim nga 1 deri në 5 vite heqje lirie.
Sakaq, në Berat task-forca e SPAK drejtohet nga prokurori i posaçëm Behar Dibra.
Informohuni në zgjedhje.tvklan.al për të dhënat rreth pjesëmarrjes së votimit çdo orë, dhe krahasimeve me zgjedhjet e mëparshme parlamentare.
Zgjedhjet 2025 | Shqipëria votoi, mbyllen qendrat e votimit
