Vetëm për pensionistët kafja e mëngjesit do të kushtojë çdo ditë 20 lek. Nisma e Bashkisë së Tiranës është mbështetur fillimisht vetëm nga 18 lokale, por kjo ofertë është përvetësuar tashmë nga rreth 100 kafene të kryeqytetit.

Edi Rama: “Duke demostruar kështu një sensibilitet për t’u lavdëruar dhe një kujdes të veçantë për të mos i kthyer një përgjigje thjesht interesi, fitimi i kësaj kërkese e cila synon ta bëjë shoqërinë të ndjeshme ndaj kësaj moshe ku, me ndihmën e Zotit, të gjithë do të vijë dita që do të jemi pjesë.”

Kryebashkiaku i Tiranës zgjodhi një nga baret nismëtare në zonën e ish-Bllokut për të thyer i pari vetminë e të moshuarve me kafen e mëngjesit. Idriz Shehi është një ish-ushtarak, pensioni i të cilit nuk është i vogël, por i papërballueshëm për çmimet e tregut dhe luksin e kafesë.

“Pensioni ynë është një qind e ca mijë lek. Pensioni është një çik i ulët, nuk është në atë shkallë që mund t’i plotësohen të gjjitha kërkesat që ka njeriu, veçanërisht në kohën e sotme, kur çmimet janë rritur kur kafeja bën 500 lek (të vjetra).”

Nisma e Bashkisë së Tiranës parashikon që çdo mëngjes nga ora 7:00 deri në 9:00 pensionistit t’i ofrohet, jo vetëm një kafe apo çaj 20 lek, por dhe një gazetë falas. Pa dallim gjinie, çdo i moshuar mund të përfitojë nga kjo ofertë pa qenë e nevojshme të tregojë librezën e pensionistit. /tvklan.al