Një nga të ftuarat në dasmën e Miley Cyrus ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale, pasi ishte e vetmja që nuk respektoi kodin e rreptë të veshjes për ceremoninë. Ndërsa të gjithë të pranishmit ishin veshur me të zeza, ajo u shfaq me një fustan të verdhë, duke nxitur komente ironike si: “Kush është kjo divë?”.

Personi që u bë objekt diskutimi është Belguica Vargas, një dizajnere grafike dhe bashkëshortja e producentit të këngëtares, Sean Everett. Ndryshe nga pjesa tjetër e të ftuarve, të cilët kishin zgjedhur veshje të zeza, ajo spikati dukshëm në fotografitë e ceremonisë.

Miley Cyrus u martua me Maxx Morando të shtunën në mbrëmje, më 21 nëntor, në Palm Springs, në prani të familjarëve dhe miqve të tyre. Megjithatë, fotografia e Vargas u shpërnda me shpejtësi në platformat X dhe Instagram, ku shumë përdorues u habitën përse ajo nuk kishte respektuar kodin e veshjes.

“Të gjithë në dasmën e Miley Cyrus ishin veshur me të zeza, përveç një personi. Kush është kjo divë? Nuk është gri, nuk është blu e errët, është ngjyrë mustardë”, shkroi një komentues.

Të tjerë pranuan se fustani ishte elegant, me shpatulla të veçanta dhe detaje dekorative në pjesën e qafës, por theksuan se binte tepër në sy në një fotografi të shkrepur nga lart, ku ajo dukej mes të ftuarve të veshur me të zeza.

“Dikush ka harruar t’ia tregojë partneres së tij kodin e veshjes dhe tani po tallen me të”, shkroi një tjetër përdorues. Ndërsa dikush tjetër bëri shaka se, të paktën, ajo do ta kishte shumë të lehtë të gjente veten në fotografitë e përbashkëta të dasmës.

Në mbrojtje të Belguica Vargas doli motra e saj, Grecia, e cila shpjegoi se dizajnerja nuk e kishte ditur kodin e veshjes dhe se zgjedhja e saj nuk e kishte shqetësuar aspak nusen.

“Ajo nuk e dinte, njerëz! Bashkëshorti i saj është një mik shumë i mirë i Miley-t. Motra ime duhet ta kishte lexuar më me kujdes ftesën. Gjithsesi, Miley është një njeri i mrekullueshëm dhe nuk u shqetësua aq sa u shqetësua interneti. Familja jonë po e merr me sportivitet gjithë këtë situatë”, shkroi ajo në një koment në Instagram.

Këngëtarja amerikane Miley Cyrus i dha fund beqarisë më 21 nëntor 2026, duke u martuar me muzikantin Maxx Morando në një ceremoni private të organizuar në Palm Springs, në prani të familjarëve dhe miqve të tyre më të afërt.

/tvklan.al