Miley Cyrus ka vendosur të ndajë me publikun emocionet e një prej ditëve më të rëndësishme të jetës së saj. Këngëtarja ka publikuar fotografitë e para nga martesa me muzikantin Maxx Morando, duke zbuluar disa nga momentet më romantike të ceremonisë që u mbajt në Palm Springs, Kaliforni.

Artistja 33-vjeçare dhe partneri i saj 28-vjeçar i dhanë fund beqarisë të shtunën, më 21 nëntor, në një ceremoni luksoze dhe private. Përmes një postimi në Instagram, Miley ndau disa fotografi nga festa, të shoqëruara me inicialet e çiftit “M + M”, një zemër dhe datën e martesës.

Puthje romantike dhe emocione, zbulohen momentet nga ceremonia

Në imazhet e realizuara nga fotografi Jose Villa, të sapomartuarit shfaqen të lumtur pranë njëri-tjetrit, madje edhe në shoqërinë e qenit të tyre.

Një prej fotografive më të veçanta i tregon Miley-n dhe Maxx-in duke shkëmbyer një puthje romantike përpara të ftuarve, gjatë ceremonisë së martesës, shkruan Daily Mail.

Një tjetër moment që tërhoqi vëmendjen ishte reagimi i nënës së këngëtares, Tish Cyrus, e cila shihet duke duartrokitur teksa çifti i drejtohet altarit.

Dasma u organizua në natyrë, në një pronë me histori të veçantë, e cila dikur i përkiste legjendës së muzikës Frank Sinatra.

Ceremonia u drejtua nga Wayne Coyne, vokalisti i grupit Flaming Lips, me të cilin Miley ka bashkëpunuar edhe më herët.

Të afërmit dhe miqtë e famshëm në ditën e madhe

Mes të pranishmëve ishte edhe babai i këngëtares, Billy Ray Cyrus, i cili mbërriti i shoqëruar nga partnerja e tij, Elizabeth Hurley. Në festë morën pjesë gjithashtu miq të afërt dhe bashkëpunëtorë të çiftit.

Historia e dashurisë mes Miley-t dhe Maxx-it nisi përmes një njohjeje të organizuar nga miqtë e përbashkët. Ata u shfaqën për herë të parë publikisht së bashku në nëntor të vitit 2021, gjatë sfilatës “Gucci Love Parade” në Los Angeles.

Në një intervistë të mëparshme për British Vogue, këngëtarja kishte zbuluar edhe një detaj interesant nga fillimi i romancës së tyre: takimi ishte i verbër për të, por jo për Maxx-in.