Në ekipin e sabotuesve të Nord Stream 2 ka qenë edhe një grua. Dhe historia e saj do t’i linte në hije edhe superheroinat e filmave të Marvel-it. Freya ishte pjesë e zhytësve që zbritën në fundin e Detit Baltik për të minuar gazsjellësin që ndërpreu rrjedhën e “arit blu” drejt Europës nga fushat siberiane.

Madje, “ajo ishte më e guximshmja nga i gjithë ekipi”, pohon gazetari i Wall Street Journal, Bojan Pancevski, i cili ka zbuluar detaje të reja mbi atentatin ndaj Nord Stream 2 në një libër të sapobotuar në Gjermani.

Pancevski pohon gjithashtu se shefi i atëhershëm i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Zaluzhny, e kishte informuar Volodymyr Zelensky-n për planin. Por deri më tani, presidenti ukrainas e mohon me forcë se kishte dijeni për sabotimin e gazsjellësit ruso-gjerman.

Sipas kërkimeve të tabloidit gjerman Bild, Freya nuk ishte vetëm më e guximshmja ndër sabotuesit e Nord Stream 2: në rininë e saj ajo kishte qenë modele porno.

Në një revistë erotike ukrainase të vitit 2004, ajo kishte pozuar, për shembull, e zhveshur me një mantel kapiteni dhe me mbishkrimin “pse dielli i Krimesë ngjall ndjesi seksi?”. Agjentja ishte e gatshme ta përdorte këtë të kaluar si mbulesë për sabotimin: nëse do të ndalohej nga policia, do të thoshte se po xhironte një film porno me temë nënujore.

Sipas Pancevskit, shërbimet sekrete perëndimore do të kishin pasur dijeni paraprake për atentatin dhe do t’u kishin kërkuar ukrainasve ta ndalonin operacionin. Gjermanët, ndërkohë, thuhet se janë informuar nga CIA se Zelensky ishte në dijeni të planit, por e kishte ndalur atë. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa të sakta janë këto informacione që qarkullojnë mes shërbimeve të inteligjencës.

Veçanërisht, sipas gazetarit, qëllimi i Zaluzhny-t për ta informuar presidencën ukrainase për planin mund të ketë qenë për të “mbrojtur veten”. Zaluzhny është ulur së fundmi në detyrë duke u emëruar ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të tensioneve me presidentin ukrainas, dhe konsiderohet si një rival i mundshëm i tij në zgjedhjet e ardhshme.

Shkrim nga La Repubblica

/tvklan.al