Atmosfera festive e Krishtlindjeve ka mbërritur edhe në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore në Nju Jork, ku është prezantuar pema tradicionale e festave, e zbukuruar këtë vit me mijëra figura kafshësh të krijuara me artin japonez të palosjes së letrës, të njohur si origami.
Pema, rreth 4 metra e lartë, është kthyer në një ekspozitë të veçantë, ku çdo degë është zbukuruar me figura të punuara me dorë.

Tema e këtij viti është “Atletët e botës së kafshëve”, duke sjellë në vëmendje aftësitë e jashtëzakonshme të tyre në shpejtësi, forcë, kërcim dhe not.
Mes figurave dallohen çita, elefantë, karkaleca, milingona, peshq fluturues, por edhe kafshë të njohura nga koleksionet e muzeut, si tiranosauri Rex dhe balena blu.
Bashkëprojektuesi i pemës, Talo Kawasaki, thotë se shumëllojshmëria e kafshëve pasqyron aftësitë e jashtëzakonshme që gjenden në natyrë.
“Ne kemi çita, elefantë dhe shumë kafshë të tjera, që përfaqësojnë forcën, shpejtësinë, aftësinë për të kërcyer lart e larg, apo për të notuar shpejt. Është një larmi e jashtëzakonshme talentesh dhe aftësish”, pohoi Kawasaki.
Sipas organizatorëve, në pemë janë vendosur mbi 1 mijë modele origami, ndërsa bashkëprojektuesja Ros Joyce vlerëson se numri i përgjithshëm i pjesëve të palosura kalon 3 mijë.
Të gjitha janë realizuar nga vullnetarë, artistë dhe dashamirës të këtij arti, të cilët kanë kontribuar për ta kthyer pemën në një vepër të vërtetë kolektive.
Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë, përfshirë edhe fëmijët, të cilët janë mahnitur nga detajet dhe puna e imët. Për vizitorët, kjo pemë është një mënyrë e veçantë për të ndërthurur magjinë e Krishtlindjeve me artin dhe natyrën.
“Është perfekte për sezonin e Krishtlindjeve, por ajo që të tërheq vëmendjen është fakti se gjithçka është krijuar me origami. Është e mahnitshme, nuk sheh diçka të tillë çdo ditë. Të rikthen fëmijën që ke brenda vetes”, u shpreh Kahin Garcia, vizitor nga Meksika.
Klan News












Botërori 2026 
