Elseid Hysaj është kthyer në idhull jo vetëm për shumë shqiptarë, por edhe për një tifoz ukrainas.

Ai quhet Viktor, është 25 vjeç dhe këtë të dielë po qëndronte pranë hotelit të Kombëtares shqiptare për të takuar mbrojtësin kuqezi dhe për t’i bërë dhuratë një pikturë.

“Jam fans i çmendur i Hysajt. Kam luajtur futboll si qendërmbrojtës. Jam tifoz i Napolit dhe ai është legjendë e kësaj skuadre. E zgjidhja gjithmonë edhe në videolojëra. Shpresoj që ta takoj”.

Viktor sfidoi për orë të tëra temperaturat e ulëta të Budapestit për ta bërë realitet ëndrrën e tij.

“Dua t’i dhuroj një pikturë me momentet më të bukura të karrierës së tij. Uroj që të më japë fanellën pas ndeshjes. Shqipëria besoj do ta fitojë këtë sfidë dhe do ta mbyllë në vendin e parë të Ligës së Kombeve”.

Pas shumë orësh pritjeje, Viktori e bëri ëndrrën realitet dhe arriti ta takojë idhullin e tij.

Kapiteni kuqezi gjatë kësaj jave u vlerësua edhe nga UEFA për arritjen e 100 ndeshjeve me Kombëtaren shqiptare, duke marrë medaljen dhe kapelën simbolike në shenjë vlerësimi për rekordin e tij.

Me këtë arritje, Hysaj u bë futbollisti i parë shqiptar që prek shifrën e 100 paraqitjeve me Kombëtaren.

Tv Klan

/tvklan.al