Raportim Live

Tërhiqet lumi Vjosa, del në pah ndotja

Niveli i lartë i ujit në Lumin Vjosa ka treguar edhe ndotjen që është bërë. Në urën e Mifolit duken qartë mbetjet plastike që kanë mbetur pas nga tërheqja e ujit.

Pas shiut, problem bëhet edhe era. Bashkia e Durrësit njofton qytetarët

Sipas parashikimeve meteorologjike, Durrësi pritet të përballet me erëra të forta.

Duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor do të intensifikohet, duke arritur shpejtësi deri në 25 m/sek, situatë që do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal. Ju lutemi ndiqni njoftimet zyrtare për sigurinë tuaj dhe të familjarëve”, njoftoi Bashkia e Durrësit.

Ajo thotë se strukturat do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo problematikë që mund të paraqitet.

download app

Drama e banorëve të Bishanit: Dola vetëm me mbathje për të shpëtuar pulat, s’ka ardhur askush

Rrëfimet e banorëve të prekur nga përmbytjet në fshatin Bishan, në qarkun e Vlorës, nxjerrin në pah vështirësitë e mëdha me të cilat ata janë përballur ata gjatë orëve të fundit.

Reshjet intensive dhe rritja e nivelit të lumit Vjosa sollën bllokimin e rrugës nën nënkalimin e autostradës, duke izoluar përkohësisht zonën dhe duke vështirësuar lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve.

Banorët tregojnë se janë detyruar të përballen të vetëm me situatën. “Po transportoj bukë se s’ka as bukë”, shprehet një prej tyre, ndërsa një tjetër thekson se kanalet kulluese nuk janë pastruar fare, duke bërë që uji të përmbytë lagjen e parë të fshatit dhe të rrethojë të paktën 11 banesa.

“Në fillim ishin 2, por ne nuk shkonim dot”, tregon ai, duke zbuluar se vetëm sot kuptuan se kishte më shumë banesa të përmbytura.

Sipas banorëve, njerëzit janë larguar me nxitim, duke nxjerrë bagëtitë jashtë, por pa pasur mundësi t’i ushqejnë.

Dëmet janë të konsiderueshme edhe në bujqësi dhe blegtori. Një banor tregon se uji ka hyrë në oborre dhe toka, ndërsa pulat i kanë ngordhur të gjitha.

“Vinte uji me sekonda. Kam vajtur me mbathje atje mbrëmë. Vajta nga ora 7-8, një të veshur çizmet, vetëm me mbathje të shpëtoja pulat. Ku ka njeri, nuk vjen dot mjeti andej. Nuk çan dot.”, rrëfen ai.

Të tjerë shprehen se nuk kanë marrë ndihmë nga askush dhe se janë lënë në mëshirë të fatit, pavarësisht përpjekjeve për të ndaluar mjetet e policisë për ndihmë.

“S’më erdhi ndonjë njeri. Të gjitha këto janë të natyrës, nuk janë të njeriut. Se këto të politikës që thonë, jo i mbyti Saliu, jo Edi Rama, janë budallallëqe. Ata vuajnë për karriget e tyre. Ore u mbyta unë atje, nuk më erdhi asnjeri.”, tha banori duke shtuar se kërkon vetëm t’u dërgojë ushqim lopëve… Lexo më shumë

Disa akse të bllokuara, Ministria e Mbrojtjes thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat zyrtare sa i përket situatës së motit të keq në vend, që ka shkaktuar përmbytje në disa zona nga veriu në jug.

Reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta kanë krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.

Pikërisht për këtë arsye, autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm.

“U bëhet thirrje banorëve të zonave të prekura të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo emergjencë pranë strukturave përkatëse.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

SITUATA NË VEND

Qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike.

Në Bashkinë Gjirokastër ka prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino në aksin Gjirokastër–Tepelenë i është afruar trupit të rrugës, gjë që ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Në disa fshatra: Odrie, Lunxhëri dhe Zagori po ndërhyhet në disa akse rrugore të bllokuara dhe në një urë të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë.

Në Bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa po punohet për lirimin e akseve: Pogon–Dropull, Zagori-Libohovë të bllokuar nga dëbora.

Puna e forcave në terren po vijon edhe në aksin Përmet–Dogana e Tre Urave është i bllokuar si dhe në njësinë administrative Frashër dhe disa fshatra përreth, ku ka problematika për shkak të reshjeve të dëborës.

Në Bashkinë Memaliaj ka problematika të shkaktuar nga lumi Vjosë në tokat bujqësore, ndërsa në Tepelenë qarkullimi në aksin Tepelenë–Gjirokastër realizohet vetëm me një korsi në zonën “Shkalla e Zezë”.

Qarku Lezhë është përfshirë nga reshje dëbore edhe në zona të ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbajtjen hapur të akseve rrugore. Është përfunduar riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë.

Qarku Vlorë paraqet një përmirësim sa i përket rënies së prurjeve në lumin Vjosë. Nënkalimi në fshatin Bishan është i bllokuar, por nuk raportohen banesa të përmbytura, vetëm prezencë uji në oborre.

Qarku Elbasan po përballet me dëborë dhe ngrica në zonat malore të bashkive Elbasan dhe Peqin, ku disa akse rurale janë bllokuar nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Mjetet dhe punonjësit janë në terren për normalizimin e situatës.

Qarku Dibër mbetet një nga zonat më të prekura gjithashtu. Forcat e emergjencave civile po punojnë në disa akse me prezencë të akullit apo rrëshqitje dherash. Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë. Disa segmente rrugore janë aktualisht të pakalueshme, por forcat e policisë janë në terren për të orientuar qarkullimin.

Forcat e Armatosura, strukturat e mbrojtjes civile, policia e shtetit, shërbimet bashkiake, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë të angazhuara në terren me mjete dhe personel për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit.

Prefektja e Vlorës shkon në fshatin Bishan: Ka rënë niveli i ujit, jemi në ndihmë të banorëve

Prefektja e Vlorës Evis Allushi ka inspektuar gjatë ditës së sotme zonat e përmbytura në fshatin Bishan.

Në një prononcim për Klan News, prefektja ka theksuar se aktualisht ka patur një ulje të ndjeshme të nivelit të ujit të lumit Vjosa, krahasuar me një ditë më parë.

“Situata gjatë ditës së sotme është përmirësuar. Kemi një ndryshim në nivelin e Vjosës. Nga raportimet e deritanishme niveli është drejt rënies, është nën 8 metra. Aktualisht ndodhemi në hyrje të fshatit Bishan, një fshat i cili ka patur problematika, duke filluar nga mbrëmja e ditës së djeshme, ka patur prezencë të lehtë uji. Ka patur edhe gjatë ditës së sotme, por nuk kemi përmbytje të banesave.”, u shpreh Allushi.

Sipas prefektes, strukturat janë në terren për t’u ardhur në ndihmë banorëve, për gjithçka ata kanë nevojë, qoftë edhe për transport.

Sa i përket evakuimeve, Allushi thotë: “Evakuime ka patur në fshatin Novoselë, ku janë 13 familje të evakuuara. Ndërsa nga Bishani nuk ka evakuime. Ka prezencë uji në banesa por jo familje të përmbytura.”

Tërhiqet uji në Bishan të Vlorës

Të tjera informacione bëhen me dije lidhur me situatën e krijuar këtë të premte në fshatin Bishan në Vlorë, ku mbrëmjen e kaluar u bllokua si pasojë e përmbytjeve rruga poshtë nënkalimit të autostradës që të çon atje.

Gazetarja e Klan News Greta Haskaj raporton se uji ka filluar të largohet.

Përmbytjet në Durrës, shkon në 842 numri i banorëve të evakuuar

Situata në qarkun e Durrësit mbetet e rënduar si pasojë e prurjeve të larta të lumit Erzen, i cili vijon të dalë nga shtrati në fshatrat e Jubës dhe Rrushkullit. Nga përmbytjet janë evakuuar gjithsej 842 banorë, ku 299 janë strehuar pranë familjarëve, ndërsa 543 të tjerë janë akomoduar në struktura pritëse si Kavalishenca, Shtëpia e Pushimit, hotele dhe ambiente të tjera të përkohshme. Evakuimet janë kryer në disa faza, në varësi të përkeqësimit të situatës.

Ndërkohë, hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet të plotë për të përballuar nivelin e lartë të ujërave.

Sipas të dhënave më të fundit, në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri janë përmbytur rreth 2 500 hektarë tokë bujqësore. Në terren janë angazhuar 448 specialistë nga Bashkia, ndërmarrjet vartëse, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, OSHEE, Forcat e Armatosura dhe shërbimet shëndetësore, të cilët po punojnë në mënyrë të pandërprerë për menaxhimin e situatës.

Nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore janë siguruar 700 pako ushqimore për familjet e prekura. Procesi i verifikimit të dëmeve vijon, me 2 mijë e 380 banesa të inspektuara deri më tani dhe 848 akte konstatimi të hartuar. Gjithashtu, janë raportuar 12 zona me rrëshqitje dherash.

Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës civile janë në gatishmëri të plotë, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për të ndërhyrë sipas nevojës dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.

SHIFRAT:

Prurjet në Erzen: Juba/Katund i Ri dhe Rrushkull/Sukth ka ende dalje të lumit.

Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet të plotë.

Në Sukth dhe Katund i Ri: rreth 2,500 ha bujqësore të përmbytura.

Forcat dhe mjetet:
448 specialistë janë në terren
Bashkia dhe ndërmarrjet – 111 persona
UKD – 80 persona
Policia Bashkiake – 70 persona
Policia e Shtetit – 70 persona
OSHEE – 80 persona
Forcat e Armatosura – 37 efektivë
Në gadishmëri mjekët e familjes

842 banorë të evakuuar:
299 pranë familjarëve
543 të akomoduar si më poshtë:
Kavalishenca: 251 persona
Shtëpia e Pushimit: 85 persona
Hotel FAFA: 178 persona (me gatishmëri për pritje të mëtejshme)
Hotel Bonita: 29 persona

Evakuimet nëpër struktura akomoduese sipas datave:
Datë 6: 251 persona
Datë 7: 105 persona
Datë 8: 163 persona
Datë 9 (ora 3 e mëngjesit): 24 persona

Nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore janë siguruar 700 pako ushqimore.

Dëmet:
2380 banesa të verifikuara total
848 akte konstatimi të mbajtura total
Procesi i verifikimit në azhurnim.

Janë raportuar 12 zona me rrëshqitje dherash.

Alarm në fshatin Bashaj: Rrëshqitja e dheut bllokon rrugën, 100 banorë mbeten të izoluar

Një rrëshqitje masive dheu ka ndodhur në fshatin Bashaj, duke izoluar plotësisht zonën dhe duke lënë pa asnjë mundësi lëvizjeje më shumë se 100 banorë.

Dheu dhe gurët kanë rënë mbi rrugën kryesore që lidh fshatin me zonat e tjera, duke e dëmtuar atë rëndë. Për momentin, asnjë automjet nuk mund të kalojë, gjë që ka shqetësuar banorët për nevojat e tyre bazike dhe urgjencat mjekësore.

Njerëzit që jetojnë në këtë fshat po kërkojnë ndihmë urgjente nga shteti. Ata kërkojnë që mjetet e rënda të shkojnë sa më parë në vendngjarje për të hapur rrugën dhe për të rikthyer qarkullimin.

Autoritetet vendore dhe grupet e emergjencave civile janë njoftuar për situatën problematike. Pritet që ndërhyrja të nisë brenda pak orësh për të pastruar rrugën dhe për të verifikuar nëse ka rrezik për rrëshqitje të tjera.

Bie niveli i Vjosës, por rëndohet situata në Bishan

Niveli i Vjosës ka rënë ndjeshëm por situata në Bishan është rënduar.

Gjatë mbrëmjes rruga poshtë nënkalimit të autostradës që të çon në fshatin Bishan Delisuf Poro është bllokuar. Aktualisht janë nën ujë rreth 20 banesa.

Ndërsa disa familje kanë kërkuar ndihmë për evakuim.

Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile po ndërhyjnë për të nxjerrë nga banesat tre persona që kanë kërkuar ndihmë pasi janë bllokuar në banesat e tyre që prej mbrëmjes të djeshme.

Raportohet për dëme të konsiderueshme në bagëti.

Përmirësohet situata në Elbasan, por disa zona mbeten pa energji

Pas një nate reshjesh intensive, situata në Qarkun Elbasan është përmirësuar dukshëm. Akset rrugore janë të hapura dhe qarkullimi kryhet normalisht, ndërsa disa zona malore dhe pjesë të qytetit vijojnë të jenë pa energji elektrike.

Sipas një raporti të Emergjencave Civile, në akset rrugore nacionale është hedhur kripe në vendet ku krijohen ngrica në rrugë dhe akset janë të hapura për qarkullimin.

Në Bashkinë Elbasan, akset që të çojnë në Zavalinë të Njësisë Administrative Gjinar dhe në Qafë të Njësisë Administrative Labinot Mal, qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Në Bashkinë Gramsh, qarkullimi në disa njësitë Lenie, Poroçan e Kukur kryhet gjithashtu me zinxhirë.
Prurjet e lumit Shkumbin janë më të vogla, por mbi mesataren e tij dhe nuk paraqesin probleme. Po kështu edhe përroi i Zaranikës dhe i Paprit.

Sa i përket furnizimit me energji, kemi mungesë të energjisë elektrike në fidrin Klos-Mollas, Bashkia Cërrik; në Njësinë Administrative Polis, Bashkia Librazhd; në disa zona malore të Gramshit, në Kukur dhe në Ceruje. Gjithashtu, si pasojë e defektit, është pa energji edhe një lagje në qytetin e Elbasanit.