Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%. Ky institucion vlerëson se politika aktuale monetare garanton kthimin e inflacionit drejt objektivit.

“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%”, tha guvernatori Gent Sejko.

Guvernatori theksoi se gjatë muajve prill-maj, inflacioni mesatar i çmimeve shënoi rritje për shkak të shtrenjtimit të çmimit të karburanteve.

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% në tremujorin e parë të vitit 2026, e mbështetur nga rritja e konsumit familjar, investimeve private dhe eksporteve të mallrave e shërbimeve.

“Zgjerimi i tij u mbështet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve private, si dhe e eksportit të mallrave e shërbimeve, ndërkohë që politika fiskale ruajti natyrën e saj konsoliduese. Në aspektin sektorial, rritja ekonomike vijoi të udhëhiqet nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërsa sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë vijuan të tkurren”.

Sejko theksoi se ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme pozitive rritjeje gjatë viteve në vijim, të përafërta me vlerësimet për potencialin e zgjerimit të aktivitetit ekonomik.

Klan News

/tvklan.al