1 tetor 2026 – Me ardhjen e stinës së vjeshtës, kujdesi për stilin dhe pamjen e jashtme rikthehet në qendër të vëmendjes. Por si mund të vishemi bukur dhe me shije në një sezon që karakterizohet nga luhatje të temperaturave, duke kaluar nga vapa e ditës te freskia e mbrëmjes?
Artisti dhe fashion designer, Altin Tila, i ftuar në emisionin “Shije Shtëpie”, Tv Klan, theksoi rëndësinë e gjetjes së ekuilibrit mes ngjyrave të tokës dhe elementeve të dritës.
Sipas Tilës, edhe veshjet me tonalitete të errëta mund të marrin jetë dhe freski nëse kombinohen me detaje të shndritshme dhe minimaliste, pa e rënduar pamjen e përgjithshme.
“Ngjyrat e tokës, por gjithmonë duke përdorur dritën. Domethënë, edhe tek veshjet e errëta, unë gjithmonë përdor elementet për të sjellë dritë, për të sjellë shkëlqim, pa e ekzagjeruar, me elemente minimale“, u shpreh artisti.
Ai u shpreh se duhet pasur kujdes me detajet shndërritëse në rrobat e errëta, për të mos e rënduar outfit-in.
“Janë disa tonalitete që duhen përdorur me karar, sepse, për shembull, ngjyrat e bronzta, ose të murrme që ne i themi, duhet të dimë mos ta rëndojmë në veshje dhe të jemi gjithmonë të kujdesshëm dhe të sjellim freski”, tha ai.
Tila theksoi gjithashtu ndryshimin pozitiv në stilin e përditshëm në Shqipëri, ku jo vetëm femrat, por edhe meshkujt kanë thyer barrierat dhe komplekset.
“Megjithatë, unë këto vitet e fundit në Shqipëri shikoj që njerëzit kurohen. Me të vërtetë janë shtuar, njerëzit kurohen. Pararojë janë femrat, por dhe meshkujt nuk mbeten pas”, u shpreh fashin designer-i.
/tvklan.al












Botërori 2026 