1 tetor 2026 – Vjeshta nuk është thjesht një stinë, por një festë e vërtetë për shqisat! Kur gjethet nisin të bien dhe ajri freskohet, tryezat tona mbushen me ngjyrat më të bukura të natyrës dhe aromën e pasur të prodhimeve lokale.

Sipërmarrësi, Marian Saliaga, i ftuar në emisionin “Shije Shtëpie”, Tv Klan, theksoi se kjo stinë në vendin tonë ofron një larmi të madhe prodhimesh.

“Vjeshta në fakt është një nga stinët më të mira në Shqipëri dhe ka një prodhim shumë të lartë dhe prodhim shumë të gjerë. Domethënë, edhe te frutat, edhe te perimet. Te perimet, për shembull, është koha e kungullit, kungullit të verdhë, pjesa e bishtajoreve, fasulet. Fillon gështenja, arrat e njoma, ulliri. Është rrushi, rrushi i vjeshtës, është shumë i shijshëm”, u shpreh ai.

Saliaga veçoi shegën devedishe, e prodhuar gjithashtu në vendin tonë, si dhe i njohur për shijen mjaft të ëmbël. Ai e cilësoi këtë frut si varientin më të mirë të shegës.

“Shega devedishe, një shegë që prodhohet te pjesa jonë në Shqipëri. Nga pjesa e Malit të Zi dhe deri në Lezhë është shumë e famshme. Është kokërrmadhe. I ka kokrrat e mëdha me tul dhe i ka shumë të ëmbla. Për shije është nga më të mirat. Ky është varianti më i mirë i shegës”, tha ai.

/tvklan.al