Një histori e ndjerë dhe plot dhimbje është rrëfyer në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” nga dy motrat, Zarina dhe Elisabeta. Ato kanë ndarë sakrificat e nënës së tyre, mungesën e figurës atërore dhe sfidat e rritjes me gjyshërit pas braktisjes nga i ati.

Ardit Gjebrea: Ju sot keni ardhur në studio për të treguar një histori…

Zarina: Po. Atëherë, historia jonë fillon me mamin në moshën 17 vjeç, kur ajo njeh partnerin e saj nëpërmjet një familjari tonë, i cili ishte krejt ndryshe nga ç’ishte prezantuar në fillim. Ajo bie dakord të shkojë me babin tonë në Greqi, të largohet atje, të krijojë një familje. Dhe mbas një viti martesë lind unë.

Ardit Gjebrea: Gëzimi i madh.

Zarina: Po, gëzimi i madh i mamit. Ma përmend herë pas here.

Ardit Gjebrea: Babi u lumturua?

Zarina: Po, u lumturua. Më shumë momente mbaj mend me mamin sesa me babin, sepse babi i duhej të largohej herë pas here për punë.

Ardit Gjebrea: Për punë, po.

Zarina: Mbaj mend që me kalimin e kohës babai filloi të ishte më agresiv me mamin. Filloi të bërtiste, ulëriste, acarohej për gjëra të vogla edhe nuk është se shprehte atë dashurinë e një babai. Unë nuk e ndjeva kurrë domethënë dashurinë e një babai. Nuk më fliste kurrë «zemra e babit», «jeta e babit», fjalët që thotë një baba. Mbas tre vitesh vazhdoi kjo situatë. Mami qëndroi domethënë me shpresën se ai do ndryshonte dhe mbas tre vitesh lind motra, Elizabeta. Por ikjet e tij fillojnë të bëhen më të shpeshta nga ky moment. Një ditë i thotë mamit: Unë do largohem për dy ditë të plota edhe do ju sjell më shumë të ardhura, më kanë dhënë një mundësi shumë të mirë pune. Largohet edhe kalojnë ato dy ditë, nuk vjen më.

Ardit Gjebrea: Nuk u kthye në shtëpi?

Zarina: Nuk u kthye. Asnjë telefonatë, asnjë mesazh, asnjë shenjë tjetër. Thjesht u zhduk.

Ardit Gjebrea: Po mami çfarë bënte?

Zarina: Kur e sheh që ai nuk kthehet, ajo vendos të telefonojë prindërit e saj, të cilët më vonë u detyruan të shisnin çdo gjë. Shitën kafshët, lanë shtëpinë vetëm dhe erdhën në Greqi që të ndihmonin mamin.

/tvklan.al