Regjistrimi i fundit muzikor i këngëtares së ndjerë Bonnie Tyler do të publikohet në muajin nëntor si një këngë festive për Krishtlindje.

Artistja uellsiane, e njohur në mbarë botën për hitet “Total Eclipse of the Heart” dhe “Holding Out for a Hero”, u nda nga jeta në korrik, në moshën 75-vjeçare, pas një sëmundjeje.

Sipas BBC-së, kënga titullohet “Love, Light and Peace” dhe përfaqëson projektin e fundit që Bonnie Tyler, emri i vërtetë i së cilës ishte Gaynor Hopkins, regjistroi para vdekjes. Ajo do të publikohet më 13 nëntor.

Bashkëshorti i saj prej 50 vitesh, Robert Sullivan, ka treguar se këngëtarja nuk e kishte braktisur asnjëherë muzikën dhe se puna me këngët ishte një nga pasionet më të mëdha të jetës së saj.

“Gaynor nuk reshti kurrë së punuari. Ajo e donte këngën, i adhuronte fansat e saj dhe i kushtoi gjithë zemrën këtyre këngëve”, u shpreh ai.

“Love, Light and Peace” është shkruar nga Chrissie Hammond dhe Terry Britten, ndërsa prodhimi muzikor është realizuar nga Britten dhe McKay, dy emra që kishin bashkëpunuar me Tyler që në fillimet e karrierës së saj.

/tvklan.al