7 tetor 2026 – Debati për Muzeun Hebraik në Vlorë është shoqëruar me qëndrime të ndryshme mbi rëndësinë e projektit dhe vendndodhjen e tij.

Analisti Fitim Zekthi, i ftuar në emisionin “Opinion”, kundërshtoi argumentin se kjo pjesë e historisë duhet të jetë në qendër të një muzeu në Vlorë, duke ngritur edhe pretendime për arsyet politike që, sipas tij, qëndrojnë pas projektit.

Zekthi u shpreh se muzeumet duhet të përqendrohen te elementet më domethënëse të historisë së një vendi dhe se, sipas tij, historia hebraike nuk përbën pjesën kryesore të historisë së Vlorës.

“Muzeumet janë për të dëshmuar pjesën tënde domethënëse të Shqipërisë. Nuk është pjesa më domethënëse e Vlorës kjo. Pse? Sepse Vlora ka histori e më të mëdha se kaq”, tha ai.

Më tej, analisti hodhi pretendimin se kryeministri Edi Rama po e ndërmerr këtë projekt për arsye që lidhen me pozicionin e tij në arenën ndërkombëtare.

“Kryeministri Rama është në pozitë të vështirë. Këtë gjë e bën për të fituar në arenën ndërkombëtare. Pse nuk e bëri në 2013? Pse nuk e bëri në 2015? Pse nuk e bëri në 2018? 2020?”, tha ai.

Zekthi e lidhi më tej ndërtimin e muzeut me atë që e përshkroi si një praktikë të njohur në teoritë politike të shtetit dhe pushtetit.

“Ideja është kjo, që në teoritë politike të shtetit dhe politikës, muzeumet ndërtohen sepse qeveri të caktuara duan të legjitimojnë pushtetin e tyre. Edhe kjo bëhet me këtë qëllim, sepse ky kryeministër ka këtë problem”, tha ai.

/tvklan.al