Një rrëfim prekës dhe frymëzues ka ndarë Eligerta në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”. E paralizuar nga këmbët që në moshën njëvjeçare si pasojë e një temperature të lartë, ajo tregoi sfidat e mëdha me të cilat është përballur që në fëmijërinë e hershme.

Eligerta kujtoi se si që në moshën 4-5 vjeçare ndjente mëshirën dhe shikimet e njerëzve rreth saj, gjë që e lëndonte thellësisht. Megjithatë, ajo kuptoi shpejt se lotët nuk ishin zgjidhja dhe zgjodhi të mos dorëzohej kurrë përballë vështirësive të jetës.

Sot, ajo vjen në ekran për të treguar rrugëtimin e saj të fortë dhe për t’u shprehur mirënjohjen personave që i qëndruan pranë e ia lehtësuan këtë sfidë.

Ardit Gjebrea: Na trego pak për jetën tënde.

Eligerta: Unë jam Eligerta 29 vjeç, vij nga Elbasani, lindur dhe rritur në një fshat të Elbasanit. Jeta ime nuk ka qenë shumë e lehtë. Sikurse këtu vijnë histori të cilat siç është edhe imja, të vështira, por të prekshme në përditshmërinë tonë. Ndjej një emocion shumë të veçantë, që jam sot këtu për të treguar rrugëtimin, por edhe për të shprehur mirënjohjen për disa njerëz që ma kanë lehtësuar shumë këtë njoftim. Kam qenë një vjeç kur pësova një temperaturë shumë të lartë në trupin tim, gjë e cila më paralizoi këmbët. Dëmtoi nervin motorik dhe prej asaj kohe nuk mund të eci më. Sigurisht ka qenë e vështirë për familjen time, por edhe unë kur fillova ta kuptoja që njerëzit ma vinin në dukje, dashur pa dashur, qoftë edhe pa e shprehur, vetëm me mimika që unë isha ndryshe. Ç’është e vërteta kur e kam kuptuar që isha ndryshe, ndjehesha keq, qaja dhe kuptova se kjo nuk ishte zgjidhja.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?

Eligerta: Duhet të kem qenë 4-5 vjeçe, që e ndjeja mëshirën që vinte dhe më vinte ditë pas dite, nga njerëz që më shihnin dhe shpreheshin “oh sa gjynah”.

/tvklan.al