Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur se nuk është i kënaqur me Iranin pas raundit të fundit të bisedimeve për programin bërthamor në Gjenevë, por theksoi se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj vendit.

“Nuk jam i kënaqur me faktin që ata nuk janë të gatshëm të na japin atë që ne duhet të kemi. Kështu që nuk jam i kënaqur”, deklaroi Trump në komentet e tij të para pas negociatave në Gjenevë, të cilat u mbyllën të enjten, 26 shkurt, pa një marrëveshje.

Presidenti amerikan nënvizoi se nuk dëshiron të përdorë forcë ushtarake kundër Iranit, por shtoi se ndonjëherë “duhet ta bësh”.

Paralajmërime dhe evakuime diplomatike

Frika për një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit ka bërë që disa vende të lëshojnë paralajmërime për qytetarët e tyre në rajon.

Mbretëria e Bashkuar tërhoqi përkohësisht stafin nga ambasada në Teheran dhe përditësoi udhëzimet e udhëtimit.

Kina, India dhe Kanadaja u bënë thirrje qytetarëve të tyre të largohen sa më shpejt nga Irani për shkak të rrezikut të përshkallëzimit.

Gjermania këshilloi “urgjentisht” asnjë udhëtim drejt Izraelit. Njëjtë bëri edhe Franca.

Ndërkohë, ambasada amerikane në Izrael njoftoi disa pjesëtarë të stafit dhe familjet e tyre se mund të largohen nga vendi, duke sugjeruar që ta bëjnë këtë “sa kohë që fluturimet komerciale janë ende të disponueshme”.

Kërcënimi me veprim ushtarak

Trump ka kërcënuar më herët me veprim ushtarak ndaj Teheranit nëse nuk arrihet një marrëveshje për ambiciet bërthamore të Iranit.

Ai ka urdhëruar grumbullimin më të madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003, duke dërguar mijëra trupa dhe atë që e ka përshkruar si një “armatë”, përfshirë dy aeroplanmbajtëse, anije luftarake, avionë luftarakë dhe avionë furnizimi me karburant në ajër.

Më 19 shkurt, Trump deklaroi se brenda 10 ditësh do të bëhej e ditur nëse SHBA-të do të arrinin një marrëveshje me Iranin apo do të ndërmerrte veprim ushtarak.

“Duhet të arrijmë një marrëveshje domethënëse, përndryshe do të ndodhin gjëra të këqija“, tha ai.

Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet me forcë çdo sulmi.

Qëndrimi i SHBA-ve dhe reagimi ndërkombëtar

SHBA-të dhe aleatët e saj dyshojnë se Irani po i afrohet zhvillimit të një arme bërthamore, pretendim që Teherani e ka mohuar vazhdimisht, duke këmbëngulur se programi i tij ka qëllime vetëm paqësore. Megjithatë, vitet e fundit Irani ka pasuruar uranium në nivele pranë atyre për përdorim ushtarak.

Teherani pretendon se aktiviteti i pasurimit u ndal pasi SHBA-të bombarduan tre nga objektet e tij bërthamore në qershor, duke iu bashkuar konfliktit të Iranit me Izraelin. Trump deklaroi në atë kohë se objektet ishin “shkatërruar plotësisht”.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), organizmi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së, njoftoi të premten se i është refuzuar qasja në objektet e pasurimit të uraniumit që prej atij momenti, duke e cilësuar situatën si shqetësuese.

Në një raport konfidencial drejtuar shteteve anëtare, IAEA theksoi se është thelbësore që inspektorët e saj të lejohen të kontrollojnë objektet bërthamore pa vonesë.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi për Washington Post se sulmet mbeten një opsion në shqyrtim, por shtoi se “nuk ka asnjë mundësi” që SHBA-të të përfshihen në një luftë të zgjatur.

“Besoj se të gjithë preferojmë opsionin diplomatik“, tha Vance. “Por gjithçka varet nga ajo që bëjnë dhe thonë iranianët.”