Anxhelina Petro dhe bashkëjetuesi i saj afgan kishin planifikuar martesë. Duke folur për televizionin grek “Skai”, 30-vjeçari afgan zbulon se një javë para se të ndodhte ngjarja e rëndë, ai i kishte propozuar për martesë 29-vjeçares shqiptare.

“Isha si burri i saj. I kisha propozuar për martesë një javë para krimit. Fatkeqësisht nuk mundëm”

, tha ai duke përmendur edhe disa kërcënime që Anxhelina kishte marrë nga babai i saj, por edhe dhunës fizike të ushtruar nga ai, madje dhe xhaxhai.

“Një herë e qëlloi edhe xhaxhai në shtëpinë e babait të saj. Më kërcënuan edhe mua që të ndaheshim, por dashuria jonë ishte e madhe. Ajo vajzë kishte përballuar një tirani të madhe”

, u shpreh 30-vjeçari afgan.

Anxhelina Petro u godit disa herë për vdekje me shufër hekuri mbrëmjen e 2 Janarit nga babai i saj Aleko Petro. Ngjarja e rëndë ndodhi në Korfuz të Greqisë në banesën e të atit. 52-vjeçari Aleko Petro ishte kundër lidhjes së vajzës së tij me emigrantin afgan, që ishte birësuar nga një familje greke. Sipas dëshmive të pasqyruara në mediat e vendit fqinj, Anxhelina dhe i dashuri i saj bashkëjetonin prej 13 muajsh.

Aleko Petro ka pranuar krimin dhe ka deklaruar se është penduar për atë që ka bërë. Madje ai ka kërkuar që dënimi i tij të jetë varja në një shesh publik si shembull për të tjerët.

Trupi i pajetë i Anxhelina Petros pritet që të sillet ditën e sotme në Shqipëri për t’u varrosur në Berat, aty ku jeton mamaja e 29-vjeçares. Xhezmije Stoçeni, në një intervistë për tvklan.al disa ditë më parë, i bëri apel shtetit që ta ndihmojë për të sjellë në Shqipëri trupin e pajetë të së bijës.

Anxhelina Petro, deri në moshën 16-vjeçare ishte rritur nga mamaja e saj në Berat, pasi prindërit ishin divorcuar para shumë vitesh. Pas kësaj moshe, Anxhelina shkoi tek i ati në Korfuz për një jetë më të mirë. Kohët e fundit ajo punonte si kamariere në një lokal dhe bashkëjetonte me 30-vjeçarin afgan, të cilin i ati i saj e refuzonte.

/tvklan.al