Euro zbret në nivele të reja, ndërsa leku vijon të forcohet.

Nga 97.20 lekë në shtator të vitit të kaluar, kursi i Bankës së Shqipërisë ka zbritur sot në 92.12 lekë, rënia është mbi 4.5 lekë, duke u zhvlerësuar me 5.2%. Nëse e krahasojmë me fillimin e vitit, dobësimi është rreth 4.7 për qind. Rënia më e thellë ka në tregun e lirë valutor, ku euro blihet me 91.6 dhe shitet me 92.3 lekë.

Ekspertët thonë se pas këtij forcimi qëndron një ofertë e lartë valute. Vetëm në tremujorin e parë, Shqipëria mori 404 milionë euro investime të huaja dhe 274.3 milionë euro remitanca. Ndërkohë, edhe Banka e Shqipërisë bleu 139.6 milionë euro, në përpjekje për të thithur valutë nga tregu.

Me kulmin e sezonit veror, oferta e euros u rrit edhe më tej, ndërsa Banka e Shqipërisë e lidh trendin e forcimit me turizmin, remitancat, investimet e huaja dhe përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë.

Nga kjo situatë konsumatorët dhe importuesit përfitojnë nga euro më e lirë, ndërsa eksportuesit dhe familjet që marrin të ardhura në euro marrin më pak lekë për të njëjtën shumë valutë.

Tv Klan

/tvklan.al