21 shtator 2026, Tiranë – Ashtu siç u paralajmërua më herët, shoqatat e gjyqtarëve do të dorëzojnë padi në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e ri që miratoi Kuvendi i Shqipërisë lidhur me pagat e magjistratëve.

Kështu bën të ditur gazetarja e Klan News, Glidona Daci.

Pak ditë më parë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare dolën me një qëndrim të përbashkët për çështjen e shumëdiskutuar të pagave.

Në deklaratën e përbashkët, shoqatat kundërshtonin mënyrën se si është ndjekur procedura parlamentare për miratimin e ligjit. Sipas tyre, gjatë procesit janë shkelur kërkesa kushtetuese, ndërsa përmendin miratimin e projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesën e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave dhe konsultimin, që sipas tyre, nuk ka qenë efektiv…(Lexo më shumë)

Ndërkohë, jo më larg se këtë të hënë, shefi i qeverisë konkretizoi përmes një shkrese zyrtare thirrjen e tij për t’u ulur në një tryezë me përfaqësues të gjyqësorit. Madje ka caktuar datën dhe orën e këtij momenti, që sipas tij është i domosdoshëm për t’i dhënë fund kësaj situate.

Në seancën e shkuar në Kuvend, pavarësisht debateve të forta, Kuvendi miratoi me 84 votat e nevojshme të shumicës parlamentare ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke ndërhyrë konkretisht në nenet që përcaktojnë pagat e tyre.