Pothuajse gjysma e ndërmarrjeve të reja të krijuara në Shqipëri janë përqendruar në tre sektorë tradicionalë. Tregtia me shumicë dhe pakicë zë 26% të bizneseve të reja, akomodimi dhe shërbimet ushqimore 13% dhe ndërtimi 8%. Në total, këta sektorë përbëjnë 47% të sipërmarrjeve të reja.

Sipas raportit të OECD-së për Shqipërinë, kjo tregon se sipërmarrja po zgjerohet kryesisht në aktivitete të orientuara drejt konsumit të brendshëm, ndërsa industria përpunuese dhe sektorët me intensitet më të lartë teknologjik vijojnë të kenë një rol më modest. Vetëm tregtia gjeneron gjysmën e xhiros së tyre dhe punëson 28% të forcës së punës. Bashkë me hotelerinë dhe ndërtimin, këta sektorë përfaqësojnë më shumë se gjysmën e punësimit dhe afro dy të tretat e qarkullimit të NVM-ve.

Ndërsa industria përpunuese, sektori që krijon më shumë vlerë të shtuar dhe eksporte, siguron vetëm 17% të punësimit dhe 11% të xhiros.

Kjo reflektohet edhe te tregtia me jashtë. Vetëm 2.6% e NVM-ve shqiptare eksportojnë mallra, ndërsa importuesit janë mbi katër herë më shumë.

Kjo strukturë e ekonomisë reflektohet edhe në mënyrën si bizneset investojnë në teknologji. Sipas sondazhit të OECD-së për Ballkanin Perëndimor, ku morën pjesë edhe 148 kompani shqiptare, Shqipëria renditet ndër vendet me përdorimin më të lartë të faturimit elektronik, me 77% të bizneseve, pothuajse në të njëjtin nivel me Serbinë, si rezultat i detyrimit ligjor për e-faturat.

Megjithatë, ashtu si në të gjithë rajonin, digjitalizimi mbetet kryesisht bazik. Sipas OECD-së, sfida për Shqipërinë dhe rajonin nuk është më kalimi në faturimin elektronik, por investimi në teknologji që rrit produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe aftësinë eksportuese.

Tv Klan

/tvklan.al