Shërbimet amerikane të inteligjencës dyshojnë se agjentë kinezë kanë krijuar një rrjet kompanish të rreme, përmes të cilave synojnë të joshin ish-zyrtarë dhe punonjës aktualë të administratës amerikane për të marrë informacione të ndjeshme shtetërore. Një investigim i CNN zbulon se kjo skemë është shumë më e gjerë nga sa ishte raportuar më parë dhe përdor kryesisht oferta pune në internet për të kontaktuar personat që mund të kenë akses në informacione me vlerë për Pekinin.
Skema nuk funksionon si në filmat klasikë të spiunazhit, por përmes platformave të zakonshme të punësimit, si LinkedIn. Përveç punonjësve të qeverisë, në shënjestër janë vendosur edhe gazetarë, konsulentë të tregtisë dhe ekspertë të çështjeve ndërkombëtare.
Në qershor, FBI mbylli 13 faqe interneti që, sipas autoriteteve amerikane, lidheshin me kompani të rreme konsulence të përdorura për këtë qëllim. Megjithatë, hetimet e CNN dhe analizat e ekspertëve kanë zbuluar dhjetëra faqe të tjera të dyshimta. Një analist i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, Max Lesser, ka identifikuar më shumë se 100 domene interneti me karakteristika të ngjashme me ato të faqeve të mbyllura nga FBI-ja.
Sipas ekspertëve, këto faqe janë vetëm një pjesë e një rrjeti më të madh. FBI-ja konfirmoi se po vijon hetimet dhe po ndërmerr masa për të kufizuar kërcënimin, ndërsa autoritetet kineze kanë mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si përpjekje për të dëmtuar imazhin e Kinës.
Rritja e kësaj skeme lidhet edhe me largimet masive nga administrata federale amerikane gjatë vitit të parë të mandatit të dytë të Donald Trump. Qindra mijëra punonjës janë larguar nga detyra përmes shkarkimeve, dorëheqjeve apo formave të tjera. Mes tyre ka pasur edhe persona që kanë pasur leje sigurie dhe akses në informacione të klasifikuara.
Ish-zyrtarë amerikanë paralajmërojnë se këta punonjës janë veçanërisht të ekspozuar ndaj përpjekjeve për rekrutim nga shërbimet e huaja të inteligjencës, pasi pas largimit nga detyra nuk kanë më të njëjtën mbrojtje dhe orientim nga institucionet shtetërore.
“Ne krijuam një dobësi që mund të ishte shmangur”, tha për CNN një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane, duke iu referuar largimeve masive nga administrata. Sipas tij, shumë persona që kishin punuar në sektorë të rëndësishëm të sigurisë kombëtare mbetën pa mjetet e nevojshme për të dalluar dhe shmangur përpjekjet e shërbimeve të huaja për t’i kontaktuar.
Mënyra e funksionimit të kompanive të rreme është e organizuar. Ato krijojnë faqe interneti që duken profesionale, shpesh duke përdorur inteligjencën artificiale dhe identitete të vjedhura. Më pas publikojnë oferta pune me pagesa të larta për pozicione konsulence, kryesisht për çështje që lidhen me Kinën dhe sigurinë ndërkombëtare.
Personat që aplikojnë ftohen të përgatisin raporte dhe analiza për klientë, identiteti i të cilëve nuk u bëhet i ditur. Edhe kur dokumentet përmbajnë vetëm informacione publike, mbledhja e shumë raporteve nga burime të ndryshme mund t’i japë Kinës një panoramë më të qartë mbi politikat, planet dhe dobësitë e sigurisë së SHBA-së.
Sipas ekspertëve të FBI-së, informacionet e mbledhura përmes këtyre raporteve mund të kombinohen me të dhëna të tjera të siguruara nga përgjimet elektronike dhe burimet njerëzore, duke i dhënë Pekinit avantazh në fushën e sigurisë dhe ekonomisë.
Një nga personat që ra në kontakt me një kompani të dyshuar ishte Wes Bryant, ish-punonjës i Pentagonit. Ai tregoi se në vitin 2025 u kontaktua nga një person që pretendonte se përfaqësonte një institut kërkimor në Malajzi dhe i ofroi bashkëpunim për çështje të sigurisë. Bryant pranoi të përgatiste një raport, por përdori vetëm informacione publike. Për këtë punë u pagua 1,200 dollarë.
Më vonë, ish-kolegët e tij e informuan se organizata nuk ekzistonte dhe se përfaqësuesja kishte kontaktuar edhe punonjës të tjerë të Pentagonit. Bryant dyshoi se pas ofertës fshihej një përpjekje për të marrë informacione më të ndjeshme.
Një tjetër rast është ai i Andres Loretdemola, një konsulent 28-vjeçar, të cilit iu ofruan deri në 1,000 dollarë për të përgatitur raporte mbi Rusinë dhe zhvillimet gjeopolitike. Ai dyshoi për ofertën dhe vendosi ta dokumentonte kontaktin. Pas një bisede me personin që e kishte kontaktuar në LinkedIn, ia dorëzoi regjistrimin FBI-së, e cila konfirmoi se komunikimet përputheshin me mënyrën e veprimit të skemës që po hetohet.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale dhe i platformave profesionale si LinkedIn e ka bërë më të lehtë krijimin e identiteteve të rreme dhe kontaktimin e personave të përshtatshëm. Një zëdhënës i LinkedIn tha se kompania po punon për të zbuluar abuzimet e mbështetura nga shtete të huaja dhe për të mbyllur llogaritë e rreme.
SHBA-ja dhe aleatët e saj të inteligjencës, përfshirë Britaninë e Madhe, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, kanë paralajmëruar se këto skema mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare, ekonominë dhe proceset demokratike. Ndërkohë, hetimet amerikane vijojnë për të përcaktuar se sa informacione mund të jenë marrë përmes këtij rrjeti dhe sa i gjerë është aktiviteti i dyshuar.
/tvklan.al












Botërori 2026 
