Ka nisur këtë të martë, më 17 mars, pelegrinazhi në Kishën e Laçit, udhëtimi shpirtëror i “Trembëdhjetë të martave të Shna Ndout”, një traditë e njohur e besimtarëve katolikë që i përgatit ata për festën e Shën Antonit të Padovës më 13 qershor.

Siç raporton gazetari i Klan News Martin Marku, pelegrinazhi ka nisur me një fluks të madh, pasi sot me mijëra qytetarë i janë drejtuar Kishës së Shna Ndout.

Ky pelegrinazh praktikohet në shenjë pendese, në emër të sakrificës dhe në formë lutjeje a falenderimi që i dërgohet shenjtit. E lutjet këtë radhë duket se janë përqendruar në luftimet që po ndodhin aktualisht në botë.

“Besim tek zoti dhe tek Kisha e Laçit. Me u lut për këto kalamaj që i kemi nëpër botë dhe oh Zot të pushojë lufta në tërë botën!”, tha njëri nga qytetarët që kishte ardhur nga Durrësi. Ai vazhdoi: “Jam lut për familjen time, jam lutur për shqetësimet e shtëpisë, vuajtjet… dhe për tërë njerëzimin.”

Ndërkohë një tjetër zonjë nga Fushë-Arrëzi, përveç thirrjes për të ndalur luftën, përmendi një tjetër lutje të veçantë për emigrantët shqiptarë që ndodhen nëpër botë: “Për paqe në të gjithë botën. Për fëmijët që kemi në emigrim, për vëllezërit, për të gjithë emigrantët që janë jashtë… Zoti t’i bekojë, t’i drejtojë në rrugën e tij, dhe t’i pajisë me dokumente kush nuk ka dokumente. Dhe të na bashkojë zoti shëndoshë e mirë të tanëve.”

Pelegrinazhi i shenjtë fillon në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në shenjtoren e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor që është dhe festa. Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë nga të gjitha fetë, ndezin qirinj në guvat e shkëmbinjve dhe sfidojnë fatin duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout.

/tvklan.al