Një alarm global, megjithëse me motive shpesh të ndryshme, po përhapet nga Kombet e Bashkuara. Ai po transmetohet me tone të veçanta në Kinë, po dëgjohet në Kanada, po përfshin zëra nga industria teknologjike dhe po minimizohet, veçanërisht nga Donald Trump.
Rreziku i një inteligjence artificiale gjithnjë e më të aftë dhe më të vështirë për t’u kontrolluar po tremb tashmë qeveritë dhe ndërmarrjet. Pasi drejtuesi i Anthropic, Dario Amodei, kërkoi javën e kaluar të ngadalësohet garat e modeleve më të avancuara, zërit të tij po i bashkohen shumë të tjerë.
Çështja do të mbërrijë javën e ardhshme drejtpërdrejt në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku është parashikuar një mbledhje e dedikuar inteligjencës artificiale dhe sigurisë me rastin e Asamblesë së Përgjithshme. Franca, si presidente e radhës, ka bërë të ditur se AI do të jetë “në krye të agjendës»” dhe se diskutimi do të përfshijë edhe “kërcënimin ekzistencial që AI mund t’i kanosë njerëzimit”.
Ndërkohë, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, kërkoi nga shtetet dhe kompanitë një “veprim urgjent” për të qeverisur sistemet më të edhuara të AI-së, përballe asaj që e cilëson si “rreziqe të paprecedentë”.
Türk rendit rreziqe konkrete: sistemet me autonomi veprimi (agentic systems), të afta për të kryer vetë sekuenca operacionesh, mund të ndërpresin komunikimet, të bllokojnë shërbime thelbësore, të godasin infrastruktura kritike dhe të përshpejtojnë sulmet kibernetike. Në frontin ushtarak, sipas OKB-së, AI po rrit tashmë shpejtësinë dhe dimensionin e konflikteve.
Vetërregullimi nuk mjafton: “Asnjë shtet nuk mund ta rregullojë i vetëm këtë teknologji” dhe asnjë ndërmarrje nuk duhet të vendosë e vetme se çfarë rreziqesh mund të pranojë pjesa tjetër e botës.
Nga Kanadaja, kryeministri Mark Carney, tashmë ndër figurat që kërkon më hapur një koordinim multilateral si alternativë ndaj Trump, po përpiqet ta kthejë alarmin në një mekanizëm konkret. Ai kërkon krijimin e një “Këshilli për Stabilitetin Teknologjik” (Technology Stability Board), një organizëm i përhershëm për sigurinë teknologjike sipas modelit të atij që merret me stabilitetin financiar.
“Ka nevojë për koordinim”, thotë Carney, me idenë e një forumi që krahason rregullat kombëtare, verifikon rreziqet e modeleve më të fuqishme dhe ndërton standarde të përbashkëta.
Por është në Kinë ku siguria dhe konkurrenca gjeopolitike gërshetohen më dukshëm.
Ministri i Sigurisë së Shtetit, Chen Yixin, sapo ka firmosur në revistën zyrtare China Cyberspace, një artikull të gjatë me titull më se të qartë: “Ndërtimi i një barriere të plotë për sigurinë e inteligjencës artificiale”.
Teksti është publikuar dhe pasqyruar nga shtypi kinez, megjithëse nuk është një përgjigje e drejtpërdrejtë për Amodei-n, përputhja e kohës është domethënëse. Chen e cilëson AI-në njëkohësisht si “fushëbetejën kryesore” të konkurrencës teknologjike globale dhe si një burim të ri rreziqesh për sigurinë kombëtare. Ndër rreziqet e përmendura është edhe ai i një monopolizimi teknologjik nga SHBA-të.
Pa përmendur drejtpërdrejt Uashingtonin, Chen akuzon disa vende se po përdorin sigurinë kombëtare për të kufizuar qasjen në fuqinë llogaritëse dhe te çipat, duke vendosur kontrolle teknologjike e duke ndërtuar ekosisteme të mbyllura. Megjithatë, Pekini bën me dije se nuk bëhet fjalë për ndalim. Chen kërkon më shumë siguri, por edhe më shumë shpejtësi në garën me SHBA-të.
Trump mendon në mënyrë identike, por nga ana e kundërt.
Ai hedh poshtë idenë e kufizimeve të reja dhe flet për një “komplot të sëmurë” kundër inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave.
“Mbrojtja e vetme që i nevojitet AI-së është një president i fortë dhe i zgjuar, me një koeficient të lartë inteligjence, dhe Shtetet e Bashkuara e kanë një të tillë, madje pa diskutim”, ka shkruar ai në Truth Social, duke lavdëruar veten dhe duke konfirmuar refuzimin për të kufizuar zhvillimin e një sektori ku ai vetë dhe familjarët e tij kanë interesa dhe investime financiare. Për Shtëpinë e Bardhë, ngadalësimi do të thoshte lëshim terreni ndaj Kinës.
Përballë kësaj gare të armatimit kibernetik mes dy superfuqive botërore, çdo përpjekje për rregullim rrezikon të mbetet vetëm një deklaratë qëllimesh.
/tvklan.al












Botërori 2026 
