E ardhmja e Michael Olise te Bayern Mynih mbetet e pasigurt, pavarësisht rëndësisë së madhe që sulmuesi francez ka fituar në skuadrën kampione të Gjermanisë.

Drejtuesit bavarezë kanë shmangur garancitë për qëndrimin e tij në Allianz Arena edhe pas sezonit të ardhshëm.

Bayern është i vetëdijshëm se mbajtja e një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës mund të bëhet e vështirë nëse në garë hyjnë klubet më të mëdha të Europës.

Mes tyre është edhe Real Madridi, i cili ka shfaqur interes të madh për anësorin francez gjatë merkatos së fundit.

Megjithatë, sipas drejtuesve të Bayern-it, klubi nuk ka marrë deri tani oferta konkrete për Olise, duke mohuar edhe raportimet për propozime të tjera gjatë kësaj vere.

Në Mynih, vlerësimi për futbollistin mbetet maksimal. 24-vjeçari konsiderohet një element themelor për skuadrën dhe një prej lojtarëve më të rëndësishëm të projektit bavarez.

Olise iu bashkua Bayern-it në vitin 2024, pas transferimit nga Crystal Palace për rreth 55 milionë euro. Që prej atëherë, ai ka regjistruar 42 gola në total.

Kontrata e tij me Bayern Mynih skadon në qershor të vitit 2029, por vlera e tij në treg është rritur ndjeshëm.

Aktualisht, francezi vlerësohet rreth 170 milionë euro, një shifër që konfirmon peshën e tij në tregun europian.

Me këtë vlerësim dhe interesin në rritje nga klubet e mëdha, e ardhmja e Olise pritet të jetë një prej çështjeve më të rëndësishme për Bayern-in në vitet e ardhshme.

Klan News

/tvklan.al