Trafikonin droge, arrestohen 16 persona, 2 në Tiranë

Një grup kriminal shqiptar që merrej me trafikun e kokainës, heroinës dhe marijuanës, është goditur nga autoritetet italiane. 14 persona janë arrestuar në Itali, ndërsa 2 në Tiranë.

Televizioni Klan mëson se në Kamëz dhe Bathore janë arrestuar Elison Hysnebelliu dhe Jurgen Duka.

Kjo është skema se si kokaina çohej në Itali nga Amerika Latine, heroina nga Europa Veriore dhe marijuana nga Shqipëria.

Mediat italiane shkruajnë se grupi kriminal përdorte emra të koduar për kokainën, duke e quajtur “Ullinj” apo “Qeni i Vogël”. Dy shqiptarët Elson Hysenbelliu dhe Jurgen Duka kishin rolin kyç në dërgimin e marijuanës nga Shqipëria në Itali.

Ata gjithashtu dyshohet se ndihmonin edhe shpërndarjen e kokainës me doza të vogla, nëpërmjet shqiptarëve të tjerë në zonën e Bolonjës dhe Emilia Romanga.

Në 5 muaj ky grup kriminal mendohet se ka trafikuar 160 kg kokainë në Itali. Aktivitetin ky grup kriminal e ka nisur në vitin 2016, ku nga Shqipëria çoheshin sasi të mëdha kanabisi drejt Italisë.

Urdhër-arrestet janë lëshuar nga zyra e prokurorit të Antimafias në Bolonja dhe Jurgen Duka e Elison Hysenbelliu pritet të ekstradohen në Itali.

Hetimet po vijojnë në Itali dhe Shqipëri pasi dyshohet se ka të tjerë persona të përfshirë.

Tv Klan