Goditen 23 grupe në 5 qarqe, në pranga dhe 1 polic

Këto janë pamjet e megaoperacionit antidrogë të Policisë së Shtetit në 5 qarqe të vendit ku u goditën 23 grupe kriminale dhe u vunë në pranga 246 persona, ndërsa u shpallën në kërkim 80 të tjerë.

Mes personave të arrestuar ishte dhe një efektiv policie në Elbasan, që siç mund të shihni në pamje u vu në pranga nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Finalizimi i operacionit të koduar Tempulli erdhi pas rreth 8 muajsh hetime dhe në qarqet ku u zhvillua u sekuestruan 134.5 kg kanabis, 364 fara kanabisi, 1.2 kg kokainë, mijëra doza kanabisi, kokaine dhe heroine, qindra doza MDMA, tableta ekstazi, sasi të drogave sintetike.

Droga e sekuestruar shitej në afërsi të shkollave, lokaleve të natës apo blloqeve të banimit.

“Gjatë këtij megaoperacioni, janë identifikuar qindra shtetas që nëpërmjet veprimtarisë së tyre kriminale, tentojnë të infektojnë tempujt e dijes në të gjithë vendin dhe për këtë arsye megaoperacioni i sotëm është vërtet një goditje e fortë kundër këtij fenomeni. Në kuadër të 170 hetimeve proaktive te iniciuara gjatë këtij 8-mujori, janë finalizuar 32 operacione, ndërsa gjatë paradites së sotme janë finalizuar rreth 50% e hetimeve të tjera proaktive.”

Tirana ka numrin më të lartë të personave të arrestuar, 82 të tillë. Për sigurimin e lëndës narkotike grupet kriminale në kryeqytet kishin shtrirë lidhjet e tyre jashtë vendit. Konkretisht në Kanada nga ku vinte me postë kanabisi i cilësisë së lartë i fshehur në sende të përshtatura si këto që shihni në foto. Edhe kjo lloj droge ndonëse e kushtueshme ishte tregtohej afër ambienteve arsimore në kryeqytet.

I pranishëm në këtë konferencë Ministri i brendshëm Taulant Balla, njoftoi një nga masat që pritet të ndërmerret për goditjen e këtij fenomeni.

“Do të bëjmë publike edhe propozimet tona për ndryshime në Kodin Penal për “dyfishim” të dënimit të krimeve që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë në shkolla ku fokusi i veçantë mbetet dyfishimi i të gjitha formave të dënimit për shpërndarjen, shitjen e lëndëve narkotike, brenda perimetrit të sigurisë në shkolla”.

Vetëm në 8 muaj, në të gjithë vendin nga policia janë sekuestruar 829 kg kanabis, 61.5 kg heroinë, 15.5 kg kokainë dhe 5.2 kg ekstazi.

Tv Klan

/tvklan.al