Hetimi i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri goditën një prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend. Mes personave të arrestuar ka edhe dy policë, njëri polic kufiri e tjetri shef aksioni.

“Njëri prej tyre ka qenë i përfshirë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa punonjësi tjetër ka të bëjë me një episod të korrupsionit”, tha prokurori.

Në pranga ka rënë edhe një avokat.

“Sa i përket avokatit dyshohet për 4 episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek zyrtarë të ndryshëm duke përfshirë edhe zyrtarë të drejtësisë”, u shpreh Mara.

Pavarësisht kësaj, prokurori i posaçëm tha se deri në këto momente nuk ka lidhje mes grupit kriminal dhe drejtësisë.

“Hetimi do nxjerrë dhe do na paraqesë një pamje më të qartë të asaj që ka ndodhur”, u shpreh ai.

Teksa po fliste për policinë, Mara tha se arrestimi i disa prej efektivëve nuk mund të përbaltë punën e 13 mijë të tjerëve.

“Policia e Shtetit është në dijeninë time 13 mijë e më shumë persona, ka njerëz shumë të ndershëm, dhe nuk mund të përbaltim as me 1 as me 2 as me 10 punonjës policie të përfshirë, por çdo ditë në hetimet tona mundohemi që edhe deri diku të pastrojmë radhët tona nga elementë kriminalë, duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit”, u shpreh Mara.

Të njëjtin mendim e përforcoi edhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Ai u shpreh se do të vijojë bashkëpunimi me Policinë e Shtetit.

“Policia e Shtetit ka në shumicë absolute punonjës policie të dedikuar për të ushtruar detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore. Ne kemi bashkëpunuar dhe do vazhdojmë të bashkëpunojmë me policinë e Shtetit”, u shpreh ai.

Kujtojmë se nga operacioni “Ura” janë lëshuar 52 urdhër-arreste në Shqipëri dhe Itali. Nga ato janë ekzekutuar 40 masa sigurie.

Autoritetet e të dyja vendeve kanë goditur një grup kriminal në trafikun e lëndëve narkotike dhe kanë sekuestruar vlera të mëdha monetare të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.

Në Shqipëri janë sekuestruar restorante, 1 bar-kafe, disa shoqëri tregtare dhe 1 televizion në Vlorë./tvklan.al