Operatorët turistikë në Durrës e kanë mirëpritur reformën e re të menaxhimit të plazheve të cilën e paralajmëroi pak ditë më parë kryeministri Rama. Sipas tyre, kjo nismë shton hapësirat publike dhe është në interes të të gjithëve, si për sektorin privat, por edhe institucionet. Por përfituesit më të mëdhenj janë pushuesit

Eduart Xhepa, kreu i hoteleri-turizmit, Durrës: Të gjithë qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë një ditë pushimi në shezlong kanë mundësi të bëjnë plazh në këto hapësira publike, kështu që për ne është një lajm shumë i mirë.

Shtimi i hapësirave publike ka qenë edhe një kërkesë e turistëve gjatë këtij viti. Ndërmarrja e kësaj nisme, sipas ekspertëve të turizmit përshtatet me tipologjinë e vizitorëve të cilët zgjedhin Shqipërinë.

Eduart Xhepa, kreu i hoteleri-turizmit, Durrës: Ka turistë që kërkojnë plazhe private dhe ka turistë që kërkojnë plazhe publike sepse janë persona sportivë që vijnë dhe kërkojnë më shumë ato pushimet e aventurës dhe janë më mirë me çadrat e veta. Janë të gjithë llojet e tipologjive të turistëve që vijnë në Shqipëri.

Por operatorët turistikë kanë edhe kërkesa të tjera për autoritetet që duhen përmirësuar.

Eduart Xhepa, kreu i hoteleri-turizmit, Durrës: Pikat e informacionit turistike janë shumë të rëndësishme dhe tjetër që kemi pasur ankesa nga turistët është edhe pjesa e transportit urban. Transporti urban çalon në dy pika ku një është shpërndarja e informacionit ku turistët duan të dinë oraret dhe ku është vendi i stacionit dhe e dyta janë oraret e shërbimit urban që në sezonin turistik duhet të zgjaten minimalisht deri në mesnatë.

Këtë verë Durrësi u zgjodh nga pushues të shumtë duke qenë edhe këtë vit ndër qytetet më të vizituara në vendin tonë nga turistët nga shtete të ndryshme.

Klan News