#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Gjatë kësaj fushatë zgjedhore emisioni “Opinion” në Tv Klan u ka dedikuar një hapësirë të veçantë partive të reja, të cilat kandidojnë në zgjedhjet e 11 majit dhe që synojnë të ketë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Në pjesën e parë të emisionit Adriatik Lapaj, kreu i Shqipëria Bëhet tregon vizionin, programin dhe premtimet.

“Me këmbë në tokë, 300 mijë në kuti”, Lapaj për Ramën: Do e çojmë në opozitë!

300 mijë vota në kuti! Është ky jo vetëm slogani, por edhe objektivi “me këmbë në tokë” i Koalicionit opozitar “Nisma Shqipëria Bëhet” që udhëhiqet nga Adriatik Lapaj. Sonte në “Opinion” ai tha se i qëndron me bindje deklaratës së mëparshme, se kjo forcë do e çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Vendim ky, për 3 arsye kryesore!

“Unë mund të kem shumë gabime në jetë, nuk jam perfekt. Por një gjë është e sigurt, i them gjërat publikisht se jam i bindur. Jo për arrogancë, destabilitet, po për 3 arsye. Në këtë vend jemi koshientë që presionohet administrata. E dyta, jemi dëshmitarë që ekziston fenomeni i shit-blerjes së votës dhe ndërlidhja e të fortëve me politikën. Dale, javën e fundit do i shihni! SPAK ka bërë punë të mirë, por fenomeni ekziston. Nëse ekzistojnë këto 3 fenomene, do të thotë që zgjedhjet janë të bëra pis. Prandaj ne duam votëbesimin dhe do krijojmë një qeveri tranzitore, asnjë parti s’do ketë monopolin e dhunimit të administratës. Krimi e të fortët mos të kenë më mbështetje politike.”


Qasja “armiqësore” ndaj Partisë Socialiste sipas tij, do të qëndrojë e palëkundur.

“Votat nuk janë thasë me çimento. Unë mendoj që elektorati shqiptar është vënë përballë tifozerisë sepse nuk është trajtuar alternativa si mundësi. Nuk jemi duke i marrë asnjë votë askujt! Nëse do jetë në dorën tonë, Rama do shkojë në opozitë. I sigurt si vetë jeta dhe vdekja! Nëse do varet nga ne, do bjerë nga pushteti”, tha Lapaj.

Pano Soko vë bastin me Fevziun në “Opinion”: Do iki emigrant nëse…

Këtë të martë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ishin të ftuar përfaqësuesit e Nismës Shqipëria Bëhet, e cila garon në zgjedhjet e 11 Majit.

Pano Soko teksa fliste për ekonominë, vuri një bast me gazetarin dhe drejtuesin e emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu. Ai tha se nëse skema ultrasubvencionuese dhe agresive e ekonomisë nuk funksionon do të ikë emigrant.

Basti u vu në studio dhe ai që e preu zyrtarisht atë ishte kryeredaktori i lajmeve në Tv Klan, gazetari Fatos Hakorja.


Blendi Fevziu: Ekonomia shqiptare është një makinë që ecën maksimumi me 180 kilometra në orë, ti do t’i nxjerrësh 300. O do pëlcasë, o do përplaset.

Pano Soko: Unë them do ta lëshojmë dhe unë vë bast këtu personalisht që nëse politika ultrasubvencionuese, agresive e ekonomisë nuk funksionon, mua nuk do më shohësh më jo në Shqipëri…

Blendi Fevziu: Hajde vëre bastin këtu. Çohu Fatos vëre bastin.

Pano Soko: Nëse nuk prodhojmë 5 miliardë euro ekonomi për 2 vitet e para, mua jo këtu, por mua nuk do më gjesh më në Tiranë.

Blendi Fevziu: Do ikësh emigrant.

Pano Soko: Do iki emigrant. Ky është basti.

/tvklan.al