Përse u mbyllëm totalisht në Mars dhe jo tani?

Një pyetje që duket se bëjnë shpesh qytetarët është se përse u vendos karantinë totale në fillim të pandemisë kur shifrat e të të infektuarve dhe viktimave ishin shumë më të ulëta, ndërsa sot, kur shifrat janë të larta nuk ka një masë të tillë. Pikërisht një pyetje e tillë iu bë Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në studion e “Opinion”.

Ministrja shpjegoi se fakti që nuk jemi në karantinë totale nuk do të thotë se jemi të hapur dhe se nëse nuk do të ishim mbyllur në Mars, sot nuk do të kishim kapacitetet e nevojshme për të përballuar shtrimet në spital

“E para nuk jemi të hapur, kemi masa të intensitetit mesatar për të cilat impakti i tyre po vlerësohet dhe fakti që kemi një ulje të lehtë tregon që masat janë duke funksionuar. E dyta nëse ne nuk do të ishim mbyllur në muajin Mars nuk do të kishim sot kapacitetet për të përballuar shtrimet në spitale, siç janë sot që kemi më shumë se 600 të shtruar dhe kemi më shumë se 1 mijë e 600 shtretër. Kjo është strategjia.”

Çdo i prekur me Covid që kurohet në shtëpi përfiton nga rimbursimi, hapat që duhet të ndiqni

Ministrja e Shëndetësisë thotë se nga paketat e rimbursimit përfiton çdo qytetar i prekur me Covid që trajtohet në kushte shtëpie. Në studion e “Opinion”, Ogerta Manastirliu tregoi edhe hapat që duhet të ndjekë një person i konfirmuar me Covid për të përfituar nga rimbursimi.

Qytetarët që janë mjekuar në kushte shtëpie, kanë paguar ilaçe, mjekun që t’u shërbejë në shtëpi, këta a duhen konsideruar për rimbursim dhe a mund të përllogaritet një kosto e përafërt?

Nga muaji Nëntor që kemi miratua paketën e rimbursimit për terapitë kundër Covid në shtëpi, janë miratuar protokollet të cilat të unifikuara dhe të konsultuara. Janë 2 protokolle që ne rimbursojmë, që është protokolli i formave të lehta dhe protokolli i formave mesatare.

A ka funksionuar kjo gjë?

Ka funksionuar sepse janë mbi 5 mijë qytetarë që kanë përfituar këto rimbursime. A ka qytetarë që janë trajtuar si në gjysmë kushte spitalore në shtëpi? Po ka? A është shqetësim për ne? Është shumë, sepse këto janë raste që ndonjëherë trajtohen gabim dhe kur vijnë në spital më pas nuk ka kthim prapa. Ky është gjithë pproblemi në këto raste, sepse konsultohen me mjekë që nuk ndjekin rastet Covid, por kanë mësuar një protokoll këtu një atje… Sa i përket rimbursimit nuk ka asnjë barrierë në përfitimin e paketave.

Çfarë hapash duhet të ndjekë një qytetar që është mjekuar në shtëpi që të marrë këto paratë?

Nuk merr paratë, merr ilaçe. Shkon të mjeku i familjes. Nuk zgjat procedura. Edhe kur mund të telefonosh mjekun dhe ai në sistem e ka që ti je një rast i diagnostikuar dhe i konfirmuar Covid. Duhet që e para me mjekun e familjes kontakton nëpërmjet 0800 40 40 apo e-Albania. Ilaçet i merr me kodin e recetës ta jep mjeku, kodin e recetës dhe shkon në farmaci dhe i merr…

Manastirliu: Dozat e AstraZeneca do të vijnë, nuk kanë lidhje me vaksinat e pezulluara në Danimarkë

Mbi 38 mijë doza vaksine AstraZeneca pritet të mbërrijnë ditën e premte në Shqipëri. Mirëpo kjo sasi dozash vjen në një moment, kur një shtet si Danimarka pezulloi përkohësisht përdorimin e saj pasi tek disa pacientë që u përdor shkaktoi mpiksje gjaku deri në vdekje.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi nga emisioni “Opinion” se sasia e dozave do të vijë në vend. Ajo u shpreh se vaksinat që janë pezulluar në Danimarkë nuk kanë lidhje me serinë që do të vijë në Shqipëri.

Sipas ministres, edhe OBSH ka deklaruar se vaksina AstraZeneca duhet të vijojë të përdoret.

“Jemi informuar që loti apo seria që vjen nesër në Shqipëri nuk është e njëjta seri që është pezulluar për përdorim nga Danimarka. Është një badge number. Është një seri me numrin e lotit. Çdo flakon vaksine ka një numër serie dhe ky numër serie është bllokuar sepse ajo konsiderohet. Ne po e sqarojmë, ka dalë edhe OBSH, ku thotë se pavarësisht se EMA po shqyrton këtë lot vaksinash të AstraZeneca pjesa tjetër duhet të vaksinojë”, tha Manastirliu.

“Varianti i ri më agresiv”, ministrja: 28 raste riinfektimi në Shqipëri

Janë 28 raste riinfektimi me Covid-19 sipas ekspertëve në Shqipëri. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tregoi këtë të enjte se cili quhet rast infektimi pasi sipas saj ka disa kritere që një person të quhet i tillë.

“Kemi disa të dhëna riinfektimesh. Ka një kriter se çfarë quhet një riinfektim. Rrinfektim quhet ai rast, i cili infektohet 3 muaj pasi është konfirmuar njëherë pozitiv, është konfirmuar negativ me tampon dhe riinfektohet sërish, por përgjatë periudhës së shërimit nuk ka manifestuar shenja të sëmundjes ose post Covid. Ne në Shqipëri deri më tani në rastet e konstatuara nga ekspertët kemi 28 raste”, tha ministrja.

Ditën e sotme në vendin tonë u konfirmua nga Komiteti Teknik i Ekspertëve varianti britanik i Covid-19. Ministrja Manastirliu tha se mutacioni ka një agresivitet të shtuar.  

“Duhet të kuptojmë që jo vetëm që rastet janë shtuar, transmetureshmëria është rritur, por duhet të kuptojmë që varianti i ri ka një agresivitet të shtuar sa i përket sëmundjes. Ka disa indikatorë”, tha Manastirliu./tvklan.al