Të ftuar: Baton Haxhiu, Preç Zogaj dhe Agim Nesho. Në lidhje skype Keida Kostreci.

Berisha ‘non grata’, Zogaj: Shpreh keqardhje, SHBA ka marrë shumë kohë për këtë vendim

Analisti Preç Zogaj  i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka komentuar vendimin e SHBA për të shpallur “non grata” Sali Berishën dhe familjen e tij. Zogaj po ashtu komentoi dhe deklaratën e Berishës pas vendimit të DASH dhe tha se ish-Kryeministri në reagimin e tij më shumë i është drejtuar publikut dhe jo SHBA-së.

Sigurisht që Berisha e di si funksion ky instrument i shpalljes “non grata”, por ai ka bërë një komunikim me opinionin me publikun dhe jo një përgjigje për atë që ndodhi. Kjo është një goditje shumë e rëndë, është një goditje në majë. Kjo nuk do të jetë përgjigja e vetme. Është paralajmëruar me kohë”, tha Zogaj.

Më tej analisti analizoi tekstin e Sekretarit Blinken dhe tha se vendimi për Berishën është marrë për periudhën që ai ka qenë në qeveri, por dhe për aktivitetin në vitet e fundit në opozitë.

Teksti i Sekretarit të Shtetit është shumë i qartë. Pjesa e parë është për periudhën kur ai ka qenë kryeministër, ndërsa pjesa e dytë është për qëndrimet e Berishës për Reformës në Drejtësi”, u shpreh ai.

Zogaj tha se ndjen keqardhje për vendimin e DASH, por e quan një vendim moral dhe jo penal.

Kjo të ngjall keqardhje, është më e pakta që mund të thuhet. Ky nuk është dënim penal, është një dënim penal”, tha analisti.

Në fund Preç Zogaj tha se vendimi i marrë nga SHBA është shumë i menduar dhe jo i marrë me ngut.

Të them të drejtën e përjashton 100%  për atë që thonë se është një vendim i marrë me ngut. Unë kam mendimi ne kundërt dhe them se SHBA është menduar shumë për këtë, pasi Sali Berisha është një njeri që ka punuar shumë me ta”, u shpreh Zogaj.

Baton Haxhiu: Jam kundër linçimit të familjarëve të Sali Berishës

Duke komentuar për shpalljen “non grata” nga SHBA të Sali Berishës dhe familjarëve të tij, analisti dhe gazetari Baton Haxhiu shprehet se është kundër linçimit të familjarëve.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Baton Haxhiu tha se bashkëshortja dhe fëmijët e tij nuk do të duhej të ishin shpallur persona të padëshiruar për arsye se nuk kanë qenë pjesë e jetës publike.

Jam kundër këtij lloji linçimi, e sidomos për anëtarët e familjes që nuk kanë bërë jetë publike, për Argitën, Shkëlzenin, Lirien. Doktori i ka mëkatet e veta në qeverisje apo jo, ka konstatuar Sekretari i Shtetit. Por linçimi i anëtarëve të familjes është gjëja më e keqe që i ka ndodhur këtij veprimi. Ajo që unë mund të them që shpreh keqardhje pse Kryeministri i vendit tim ose Presidenti i vendit tim është akuzuar në mënyrë të tillë. Dhe është një gjë e vështirë. Por ajo që është përjetuese për Doktorin këtë herë është që përjetimin e linçimit që e ka marrë duke mos dhënë argumente Departamenti i Shtetit është vetëm pasojë e asaj që Doktori ka vendosur si kriter të jetës së tij politike dhe publike për të gjithë të tjerët që i ka akuzuar duke mos dhënë asnjëherë argument”, deklaroi Baton Hahiu.

A mund të apelohet vendi i DASH për shpalljen ‘non grata’?

Gazetarja e Zërit të Amerikës, Kieda Kostreci, ka folur sot për shpalljen “non grata” të Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Kostreci tha se informacionin për vendimin e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, e kishin marrë disa minuta para se të bëhej publik në mediat sociale.

Po ashtu gazetarja u shpreh se vendimi është marrë disa kohë më parë, pasi të tilla vendime nuk merren sot për nesër.

Vetëm në kuptimin që disa veta e kanë përmendur një gjë të tillë. Por me ata persona që ne kemi komunikuar na është thënë që vendimi nuk është marrë sot për nesër, kjo do të thotë që vendimi është marrë kohë më para”, tha Kostreci.

Por a mund të apelohet ky vendim i Sekretarit Amerikan të Shtetit? Sipas gazetares së Zërit të Amerikës shpallja “non grata” nuk mund të apelohet pasi nuk është një vendim gjykate.

Nuk është vendim gjykate, nuk ka si të apelohet. Mund të përpiqesh ta bësh, por përderisa është përfolur se një gjë e tillë për këtë rast, do të thotë se informacioni është mbledhur për një kohë të gjatë. Mendja ta do që një Sekretar Shteti ka informacione të shumta. Shumë nga ata që janë vënë në lista të tilla e kanë kundërshtuar”, u shpreh Kostreci.

Opinion nis ndryshe, për herë të parë Fevziu drejton emisionin nga jashtë shtetit

Për herë të parë në 24 vjet, emisioni Opinion nga Blendi Fevziu në Tv Klan ka nisur ndryshe. Drejtuesi i Opinion e ka moderuar emisionin nga jashtë shtetit.

Që në nisje të programit, Blendi Fevziu sqaroi se ndodhet jashtë Shqipërisë për arsye pune, por për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend, që kanë të bëjnë me shpalljen “non grata” të Sali Berishës në SHBA, u detyrua që ta ndërpresë këtë udhëtim dhe emisionin ta drejtojë përmes video-live.

Kësaj here nuk po ju flas ekzaktësisht nga studio e emisionit Opinion për arsye të një zhvillimi të fundit, një zhvillim që si shumicën e rasteve janë problematike por sjellin një risi në transmetimet dhe metodat moderne të komunikimit. Sot paradite ne kemi regjistruar një emision i cili përshtatej me zhvillimet midis Izraelit dhe Palestinës. Pas kësaj unë jam nisur për një udhëtim pune për të sjellë një emision në ditët e ardhshme në emisionin Opinion, por në momentin që mbërrita në një vend të huaj, pra jo në Shqipëri, erdhi lajmi i vendimit të Sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken, për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij. Unë vendosa ta ndërpres këtë udhëtim dhe nesër të jem në transmetim në një emision të gjerë për këtë çështje, por nuk mund ta humbnim as sot aktualitetin. Pandemia na mësoi që shumë emisione mund të bëhen dhe online, kështu që unë po flas sot nga një qytet europian, ndërkohë që në studion e emisionit Opinion ndodhen 3 të ftuarit e mi për të ndërtuar një emision risi”, u shpreh Blendi Fevziu. /tvklan.al