Në një kohë kur palët politike vijojnë përplasjen për reformën territoriale, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Michel Tarran thotë se organizimi i pushtetit vendor nuk mund të jetë një model i imponuar nga jashtë, por një çështje e brendshme e Shqipërisë.
“Nuk ka një model që ne e imponojmë dhe që e konsiderojmë si më i mirë. Çdo vend ka historinë, traditat dhe nevojat e veta. Dhe sigurisht është puna e Shqipërisë që të vendosë sesi duhet të organizohet administrata territoriale me 61 bashki siç është aktualisht, apo me 100, 40 apo 3000 njësi vendore. Nuk është puna ime që t’u tregoj si duhet të organizohet administrata lokale”, tha Tarran.
Nga Pogradeci ku mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, Tarran apeloi se miratimi i ndarjes së re territoriale nuk duhet bërë pa u konsultuar në nivel kombëtar e lokal.
“Mesa di unë ky konsultim është një proces që tani bëhet dhe është akoma herët për të thënë nëse ky konsultim u bë në mënyrë të mjaftueshme ose nëse ka patur problem nga kjo pikëpamje. Nuk duhet të merret asnjë vendim pa u konsultuar në nivelin kombëtar, por që dhe në nivelin lokal”, tha Tarran.
Reforma e re territoriale rindezi debatet mes palëve politike në nisje të sesionit të ri parlamentar, ku demokratët kundërshtojnë propozimin e socialistëve që redukton nga 61 në 46 numrin e bashkive.
Opozita ka paralajmëruar se hartën e saj me 100 bashki do ta bëjë pjesë të konsultimeve me qytetarët duke lënë të hapur edhe mundësinë e shkuarjes drejt një referendumi për kundërshtimin e modelit të paraqitur nga shumica e majtë të cilin e konsideron të diktuar nga kalkulime elektorale.
Sakaq që prej muajit korrik ndarja e re territoriale e propozuar nga maxhoranca vijon të kundërshtohet edhe nga bashkitë që preken nga shkrirja.
/tvklan.al












Botërori 2026 