POGRADEC – Reforma territoriale dhe e ardhmja e organizimit të pushtetit vendor mbeten ende në fazën e diskutimeve dhe konsultimeve.

Këtë e ka bërë të qartë nga Pogradeci ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, i cili theksoi se deri tani nuk është marrë asnjë vendim për ndryshimin e hartës administrative të vendit.

Tarran sqaroi fillimisht se OSBE-ja nuk merr përsipër t’i diktojë Shqipërisë një model të caktuar për organizimin territorial. “Së pari, unë nuk përfaqësoj këtu BE-në, unë jam përfaqësues i OSBE-së dhe në OSBE kemi 57 vende pjesëmarrëse me sisteme shumë të ndryshme”, u shpreh ambasadori.

Duke iu referuar edhe përvojës së vendit të tij, Francës, ambasadori tha se modelet e organizimit territorial ndryshojnë ndjeshëm nga një shtet në tjetrin.

“Unë vij nga një vend që për këtë çështje ka një situatë shumë të veçantë. Deri tani kemi 35 mijë komuna/bashki në Francë. Ka vend tjetër ku ka disa dhjetëra bashki”, tha Tarran.

Sipas tij, nuk ekziston një model universal që mund t’i imponohet një vendi si zgjidhja më e mirë. “Nuk ka një model që ne imponojmë e konsiderojmë si më të mirë. Çdo vend ka historinë e vet, çdo vend ka traditat e veta, çdo vend ka nevojat e veta”, theksoi ambasadori i OSBE-së.

Tarran e konsideroi si përgjegjësi të vetë Shqipërisë vendimmarrjen për mënyrën sesi duhet të organizohet administrata territoriale. Ai përmendi edhe mundësitë e ndryshme që janë diskutuar për numrin e njësive vendore, raporti gazetarja e Klan News Daniela Zisi.

“Është punë e Shqipërisë, që të vendosë si duhet të organizohet administrata territoriale, me 61 bashki siç është rasti tani ose me 100, 40 apo 3000. Nuk është puna ime që t’ju tregoj si duhet të organizohet administrata lokale”, deklaroi Michel Tarran.

Ambasadori u pyet edhe për monitorimin që OSBE-ja po kryen lidhur me procesin e konsultimit dhe nëse, sipas vlerësimit të organizatës, procedurat deri tani janë zhvilluar në mënyrën e duhur.

Përgjigjja e tij ishte e qartë: “Mesa di unë, ende nuk është vendosur asgjë.”

Tarran theksoi se procesi ndodhet ende në fazën e diskutimeve dhe konsultimeve dhe se është shumë herët për të dhënë një vlerësim përfundimtar mbi mënyrën sesi po zhvillohet ai.

“Jemi akoma në fazën e diskutimit, jemi akoma në fazën e konsultimit. Nuk duhet të merret asnjë vendim pa u konsultuar në nivelin kombëtar, por dhe në nivelin lokal”, u shpreh ambasadori.

/tvklan.al