Nicole Kidman ka rrëfyer një nga momentet më të vështirë të jetës së saj, pikërisht atëherë kur dukej se kishte arritur gjithçka.
Në vitin 2003, aktorja fitoi çmimin Oscar për rolin e Virginia Woolf në filmin “The Hours”. Ky moment ishte një nga kulmet e karrierës së saj, por pas shkëlqimit të tapetit të kuq dhe duartrokitjeve, Kidman u përball me një ndjenjë të thellë vetmie.
Këtë ajo e shprehu gjatë një interviste në podcastin “Therapuss”, ku kujtoi se gjatë kthimit në shtëpi pas Oscar-it nuk ndihej e pëmbushur, pavarësisht se kishte pranë vetes prindërit e saj. Aktorja pohoi se dëshironte të kishte pranë një partner, dikë me të cilin mund ta ndante atë moment historik.
“Isha jashtëzakonisht e vetmuar. Isha në kulmin e suksesit tim, por u ktheva në shtëpi dhe u ndjeva kaq vetëm. Kisha nënën dhe babanë tim me vete, por mendoja: ‘Ku është partneri im? Ku është dikush me të cilin mund ta ndaj këtë?'”, rrëfeu ajo.
Ajo u shpreh se dhe pse në duar mbante çmimin më të rëndësishëm të karrierës së saj, shqetësimi për jetën e saj personale ishte më i fortë se kurrë.
“Ishte një nga momentet më të thella kur mendova: ‘Duhet ta ndërtoj jetën time’. Doja thjesht të isha në përqafimin e dikujt. Doja të kisha pranë vetes diçka që të më bënte të ndihesha: ‘Në rregull, kjo është jeta ime e vërtetë'”, tha Kidman.
Ajo kujtoi se ajo natë ishte një kontrast i madh sepse në njërën anë kishte në dorë çmimin e artë të Oscar-it, simbolin e suksesit maksimal në Hollywood dhe në anën tjetër, kishte brenda saj një ndjenjë boshllëku që asnjë çmim nuk mund ta largonte.
“Mendoja: ‘Kjo është. Ky është çmimi më i madh që mund të fitosh në industrinë tonë’. Isha jashtëzakonisht mirënjohëse dhe, në të njëjtën kohë, jashtëzakonisht e vetmuar”, u shpreh ajo.
Në atë kohë, jeta private e Nicole Kidman kishte pësuar një ndryshim të madh. Vetëm dy vite më herët, në vitin 2001, ajo ishte divorcuar nga Tom Cruise, me të cilin ishte martuar në vitin 1990.
/tvklan.al












Botërori 2026 
