“Bullgaria nuk do ta pengojë rrugën evropiane të RMV-së”

Nikola Dimitrov dhe Bujar Osmani kanë shkëmbyer vendet, Ministrinë e Jashtme dhe Sekretariatin për Çështje Evropiane. U zotuan se në përbërjen e re qeveritare do të vazhdojnë aty ku kanë mbetur, në përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe përgatitjet për negociatat aderuese me BE-në.

Na presin shumë punë dhe sfida të mëdha, por edhe shanse të arta që këto vitet e ardhshme t`i shfrytëzojmë që të hyjmë thellë në procesin aderues me BE-në. Pritjet dhe plani i kryesimit gjerman është që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet në Dhjetor të këtij viti”, tha Nikola Dimitrov.

“Para nesh ekzistojnë sfida që ta formalizojmë fillimin e negociatave dhe ta udhëheqim këtë proces të evropianizimit të vendit. Absolutisht besoj në vullnetin politik dhe kapacitetin e vendit dhe të institucioneve”, u shpreh Bujar Osmani.

Ngecja e punës së komisioneve për zgjidhjen e çështjeve kontestuese që parashihen në marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë, shefi i ri i diplomacisë do të përpiqet t`i ringjallë me vizita në Athinë dhe Sofje, kurse dy ministrat besojnë se tek fqinjët nuk do të ketë pengesa të reja në rrugën evropiane të vendit, për shkak se parimet bazë të BE-së janë respektimi i dallimeve.

“Një Maqedoni stabile, perspektive dhe evropiane është parakusht për rajon stabil, perspektiv dhe evropian, kurse kjo është në interesin e të gjithëve në rajon duke llogaritur këtu edhe Bullgarinë. Nuk shoh interes të asnjë vendi në rajon, por edhe Bullgarisë që ta pengojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe këtë e dëshmuan me Këshillin në Mars”, theksoi Osmani.

“Gjuha maqedonase është çështja jonë dhe kjo është e mbyllur veçanërisht pas finalizimit të letërnjoftimit të vendit në OKB. Në këtë kornizë do të kërkojmë mençuri dhe këmbëngulje në tejkalimin e të gjitha çështjeve me Bullgarinë fqinje. Nuk mundet Bullgaria ta komplikojë ardhmërinë evropiane të Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Dimitrov.

Lidhur me plotësimin e vendeve të zbrazëta të ambasadorëve të Maqedonisë në Evropë dhe botë, dy ministrat kanë theksuar se qeveria e re do ta rishqyrtojë procedurën, e cila deri më tani, disa herë ishte penguar nga Komisioni i Jashtëm Parlamentar. Prioritet do të jenë ata që u përgjigjen qëllimeve politike, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA dhe BE-në.

Klan Macedonia